Me 28 tetor 2017 Policia e Kosovës, stacioni policor në Viti, kishte pranuar një ankesë nga ankuesi se gjatë natës persona të panjohur, në ish fermën e kafshëve, në fshatin Letnicë kanë vjedhur disa vegla të ndryshme pune në vlerë të konsiderueshme.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se njësitet hetuese nga Vitia menjëherë pas marrjes se rastit kishin dalë në vendin e ngjarjes. Pas një pune intensive mirë të organizuar, ku për mes rrugëve operative janë marrë informatat për të dyshuarit e mundshëm të implikuar në ketë vepër penale.
“Me 31 Tetor 2017 janë lokalizuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar në lidhje me këtë vepër penale të cilët janë sjell në stacionin policor në Viti. Ata janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, ku janë dëshmuar prova të qëndrueshme se ata e kanë kryer ketë vepër penale në bashkëveprim me qellim te përfitimit personal, besohet se atyre u ka ndihmuar edhe një tjetër i dyshuar J. A. i cili është në kërkim të policisë”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, hetuesit policor kanë arritur që t’i gjejnë mjetet e vjedhura të fshehura në shtëpitë e të dyshuarve dhe në një shtëpi në fshatin Pozheran, ku janë konfiskuar veglat e punës si :
Një aparat saldimi CO2
një makinë për suvatim
një gjenerator KW-TEC 250
një kompresor
një sharre elektrike për kopsht
një makinë për gdhendjen e metaleve EINHELC 2000
shtatë lloje të kabllove të trashësive dhe gjatësive të ndryshme
një (akumulator) bateri e makinave, ngjyrë e zezë
një vinç
tre litar për shtrëngim dhe një thes me zinxhir për tërheqje
“Në të gjitha fazat e hetimit ka qenë i njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka marr vendim për ndalim për 48 orë, ndaj dy të dyshuarve B. F. dhe M. Z. , ndërsa njëri nga të dyshuarit i mituri është liruar në procedurë të rregullt”, thotë zëdhënësi Hashani.
Rasti pasi të kompletohet dërgohet në Gjykatë.