/Sadri Halimi/
Rrëfimi ishte i gjyshit tim (Halim Halimi 1924-2010)
Gjatë sundimit të një mbreti, ishte një kaçak që për një qëllim të tij ishte rebeluar dhe e luftonte atë pushtet duke mos iu bindë në urdhrat e asaj mbretërie.
Thuhej se kaçaku ishte shume i zoti në luftën guerile dhe pushteti kurrsesi nuk e shtinte në dorë. Kishte pas rrethime e beteja të përgjakshme me kaçakun në fjalë por ai gjithmonë ia dilte të çante rrethimin.
Një ditë prej ditësh, kaçaku rrethohet në tri anët e atij mali në të cilin gjendej atë natë.
Lufta filloi me të gdhirë të agimit të parë dhe rrethimi sa vinte e ngushtonte hapësirën e kaçakut.
Pas disa orë luftimesh, kaçaku me aftësinë e tij të jashtëzakonshme e gjen një shteg për të dalë nga rrethimi dhe për të shpëtuar nga vdekja e sigurt, që e priste.
Në dalje te atij shtegu ai e pa se shtrihej një fushë e gjerë dhe e gjelbëruar. Kaçaku u hamendësua, t’i hynte asaj are te gjelbëruar ose nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi, kërkoi me sy e me mendje në shpejtësi një rrugë tjetër për të shpëtuar, por kurrsesi të gjente.
Dhe në fund, vendosi të dorëzohej!
Dhe, me të vërtetë u dorëzua. U dërgua në burg ku edhe shumë shpejtë e morën në pyetje.
E vetmja pyetje qe ju bë nga Kadia (gjykatësi) ishte, jo për rebelimin që e kishte ndaj mbretit dhe pushtetit të tij, por pse ai u dorëzua në dalje të atij shtegu e ku shtrihej ajo fushë e gjerë para tij dhe të shpëtonte nga vdekja e sigurt.
Ishte kohë kur ushqimi e buka, nuk ishin shumë të mjaftuara për popullin.
Kaçaku u përgjigj: E vetmja rrugë nga mund të shpëtoja ishte ajo fushë e mbjellë me grurë dhe unë jam edukuar që ta respektoj dhe mos ta shkelë në asnjë mënyrë bukën me të cilën ushqehen njerëzit. Më e lehtë ishte të vdisja se të shkelja mbi grurin. Kjo ishte arsyeja pse u dorëzova!
Kur mbreti e dëgjoi arsyen e vërtetë të kaçakut, se ai duke mos dashtë të shkel mbi një fushë të mbjellë me grurë ishte dorëzuar duke rrezikuar t’i pritet koka, e fali.
Kaçaku jetoi prapë ne vilajetin e tij me rregullat e veta pa e trazuar pushteti i asaj mbretërie.