/2L ONLINE/ – Me drejtorët e shkollave të komunës së Vitisë, është mbajtur debati i radhës për planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2017-2019, që është mbajtur sot në sallën e Kuvendit komunal në Viti.
Sikur edhe në takimet me banorët e fshatrave por edhe kategoritë e tjera të shoqërisë që janë mbajtur deri më tani, për rëndësinë e dëgjimeve publike, por edhe me procedurat e buxhetit prej hartimit e deri në miratim, i njoftoi zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, kurse për ndarjen dhe procedurat e tjera të inkorporimit të kërkesave në draft buxhet që dalin nga debatet e realizuara, foli drejtori për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim Ibrahim Rama, i cili edhe i njoftoi me buxhetit e tërësishëm dhe ndarjen nëpër kode.
Drejtorët e shkollave të komunës së Vitisë, kanë paraqitur një varg kërkesash që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në përgjithësi. Ndër kërkesat që u parashtruan, ishin ato për krijim të kabineteve dhe pajisjes së tyre me mjete të nevojshme për kryerje të praktikës, rregullimi i rrethojave të shkollave, shtimi i buxhetit për shkollat, fushave sportive, etj.
Në këtë debat, drejtori i Arsimit në Viti Qahil Sinani, ka njoftuar me punët që janë kryer gjatë këtij pushimi veror, në përmirësimin e infrastrukturës shkollore nëpër gjitha lokalitetet. Ai ka theksuar se asnjë shkollë nuk është në gjendje të keqe, pasi që është intervenuar gjithkund ku është parë e nevojshme të bëhen renovime. /2L ONLINE/