/2L ONLINE/ – Po thuaj se çdo ditë po kemi shumë kritika dhe çdo hap po vërejmë se nuk po funksionon si duhet, sistemi i administratës shtetërore, pushtetit dhe jetës së përditshme në Kosovë. Si duket, nuk po duam të punojmë më mirë, apo po bëhemi se nuk ka mundësi të bëhet më mirë, për kushtet dhe rrethanat që po jetojmë.
Në qoftë se marrim parasysh marrim parasysh, numrin e universiteteve, numrin e intelektualëve, numrin e ekspertëve të cilët çdo ditë e më shumë shtohen, e në anën tjetër, jeta në Kosovë, çdo ditë e më shumë është më e ngarkuar me papunësi, jofunksionalitet të pushtetit, nepotizëm, korrupsion , që domosdsoshmërisht rrit kriminalitetin dhe anarkinë.
Është fakt, që çdo detyrë e caktuar pas luftës, që është dashur të kryhet, ka zgjatur shumë më gjatë se periudhat e përcaktuara, të planifikuara dhe të programuara.
Të gjitha, ama të gjitha janë prolonguar më gjatë dhe si të tilla nuk janë treguar efikase dhe efektive, pasojat e të cilave sot po i përjetojmë neve si qytetarë.
Kështu ishte me rindërtimin dhe sanimin e pasojave të luftës të cilat edhe pas 17 viteve ende ka shumë probleme të pazgjidhura ,për shkaqe subjektive dhe dobësive tona.
Kështu ishte me standardet para statusit të Kosovës të cilat u stërzgjaten, e deri te plani i Ahtisarit për të ardhur, 17 shkurti 2008, datë tani më historike e pavarësisë së Kosovës.
Shtet i pavarur, pa pavarësi të plotë në gjykata, pa ushtri,pa kufij të përcaktuar ndërkombëtarisht, ende me EULEX, gjyqtarë e këshilltar të huaj, nëpër institucione shtetërore, si në Gjykatën Kushtetuese, sistemin e drejtësisë, AKP, etj.
Gjithashtu, asgjë më mirë me plotësimin e kritereve dhe detyrave për marrëveshjen e MSA-së dhe plotësimin e obligimeve për liberalizmin e vizave, që të jemi të barabartë në të drejtën e lëvizjes nëpër Evropë, edhe pse jemi pjesë natyrale e Evropës.
Në konceptin e luftës për pushtet dhe marrjen e përgjegjësive nuk më habit oportunizmi i forcave në koalicionin qeverisës PDK dhe LDK, por më habit fakti që forcat oponente si VV, AAK, NISMA apo edhe forcat tjera si PD, LB, PLK, etj nuk kërkojnë më me ngulmë, që të bëhet reforma zgjedhore, para se të flasim dhe bëjmë zhurmë për mosfunksionalitetin , për korruptimin tejet të madh të sistemit, për ngecjet e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale, për të gjitha të zezat që po na kaplojnë jetën tonë të përditshme.
Në mesin e këtyre forcave nuk e përmenda AKR-në e Behxhet Pacollit, e cila edhe para katër viteve ishte për ndryshime rrënjësore te sistemit zgjedhorë, por hasi ne vesh të shurdhër, bile ish Presidenti pat deklaruar: ”Jemi plotësisht të zhgënjyer për faktin që zgjedhjet po planifikohen të mbahen në një kohë kaq të shpejte, pa reforma zgjedhore dhe pa përgatitjet më elementare nga KQZ”. Kjo deklaratë ishte para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014.
Reforma zgjedhore është alfa dhe omega e fillimit të ndryshimit të gjendjes në Kosovë, aq më shumë kur kihet parasysh se Ligji për Zgjedhje të përgjithshme duhet të ndryshohet së paku 6 muaj para zgjedhjeve.Të jetë amandamentuar, apo për mendimin tim , duhet ndryshuar tërësisht për zgjedhje të lira, demokratike dhe më të mira. Për të rezultuar një administratë më të mirë, një legjislativ më të përgjegjshëm dhe një ekzekutiv më të efektshëm.
Mendoj ,që shumë më mirë do ishte që VV, AAK, AKR, NISMA, PD, LB, etj, të kërkojnë reformat zgjedhore për zgjedhje të mirëfillta të lira,të barabarta, demokratike, me përfaqësim cilësorë dhe adekuat, të të gjitha shtresave, zonave-rajoneve, nacionaliteteve dhe kandidatëve më të mirë nëpër partitë politike. Qasjen e veprimit do të duhej drejtuar në ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.
Me ndryshimin e këtij ligji, Kosova do të duhej të jetë, me shumë zona zgjedhore, që e drejta qytetare për pjesëmarrje në zgjedhje të jetë e obligueshme, që vota me kusht të anulohet fare, etj.
Gjithashtu, në qoftë se duam që të lirohemi nga klanet, të cilat kanë ngulfatur majet dhe veprimet demokratike brenda partive politike, nuk është e mjaftueshme që një organ i KQZ-së të bëjë monitorimin e proceseve zgjedhore brenda partive, por do të duhej që Parlamenti i Kosovës të miratoj Ligjin për Partitë Politike, ku do të definoheshin forma e themelimit të partisë, statutet, përgjegjësit, zgjedhjet dhe proceset tjera demokratike në parti.
Këta do të ishin hapat e parë për një rrugëtim të mbarë, për të rezultuar në fillimin e shërimit dhe funksionaliteti më të mirë, të pushtetit dhe administratës shtetërore në vendin tonë. /2L ONLINE/