Nën mbështetjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport dhe Ministrisë së Kulturës, nën organizimit e Ansamblit “Gjilani” dhe Qendrës së Pavarur Kulturore, në Gjilan është mbajtur Festivali “Gjilani Fest 2021” për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Deniza Limani, drejtoreshë në DKRS, ka theksuar se ky festival po mbahet në kohë pandemie, në kushte më të rënduara e nën respektimin e masave.
Ajo është shprehur e lumtur se në Gjilan gjenden ansamble të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Luginë e Preshevës. Ajo ka thënë se sivjet programi ishte më i shkurtër, shkaqet tashmë po dihen, andaj janë mbajtur tri aktivitete.
Limani ka falënderuar të gjitha ansamblet pjesëmarrëse.
Programin e ka nisur Ansambli “Gjilani” me disa pika artistike. Ajo u paraqit me valle tradicionale e burimore me Grupin e Valltarëve, Kolazh kosovar, koreografia e Qemajl Musliut, me këngën “OJ Kosovë oj nëna ime” që e kënduan Lumturie Shabani dhe Elona Sadiku dhe Grupi i këngëtarëve me potpuri këngësh me këngët “Në Grykë të Kaçanikut” dhe “Jem Ilirë, jem Teuta”.
Më pas është paraqitur Ansambli “Afërdita” nga Tirana, me president Eshref Gjoshi dhe koreografe Arta Kastrati. Në programin e tyre artistik ata janë paraqitur me vallen “Jehona Shqiptare” nga Grupi i Valleve, pastaj Eli Qosallari me këngën “Tumankuqe”, pastaj vallja me motive dibrane dhe sërish me këngën “Xhamadani vija – vija”.
Nga Presheva është paraqitur Shoqëria Artistike “Presheva”, të cilët patën disa pika muzikore, Mefail Ibrahimi – “Shkrep moj rrufe”, Naim Aliu – “Larg teje moj nënë”, Bashkim Haliti – “Përse të rriti mamaja ty” dhe Agim Kadriu – “Ushton Gryka e Kaçanikut”.
Në këtë Festival është paraqitur edhe grupi nga Kumanova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”. Fillimisht ata janë paraqitur me Vallen “Dasmja Kosovare”, Nuredin Fetahu – “Çka ka hasmi”, Rexhije FAzliu – “Lum Kosova për ty”, Qerim Hamiti – “Këngë për Ibrahim Rugovën” dhe Mehmet Bajrami – “Dy tupanë në derë të kullës”.
Për të gjithë pjesëmarrësit drejtoria ka ndarë mirënjohje. /2LONLINE.com/