Në opinionin politik e atë publik kanë dalë ide dhe zëra për gjoja marrëveshje përfundimtare për Luginën e Preshevës. Këta zëra kanë vënë në lëvizje faktorin politik në Kosovë Lindore. Si rrjedhojë e sajë Lëvizja “Vatra”është duke bërë aktivitet të shtuar politik në koordinim me faktorin relevant politik në Kosovën Lindore.
Kështu shprehet, Kushtrim Kadriu kryetar i Lëvizjes Qytetare Vatra (LQV), që së bashku me anëtarin e Kuvendit të Gjilanit nga LQV, Mefail Jonuzi kishin takuar deputetin e vetëm shqiptar të Kuvendit të Serbisë, Fatmir Hasani dhe kryetari e Kuvendit të Bujanocit, Adnan Salihu.
Sipas tij, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani ka thënë se Lugina e Preshevës duhet të jetë temë e negociatave ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.
E, Kushtrim Kadriu tha se ekipi negociator i Kosovës duhet ta shtrojë si çështje të pa zgjidhur dhe detyrimisht ta vë në agjendën e bisedimeve çështjen e Luginës së Preshevës dhe se nuk do duhej të pranohej Asociacioni i Komunave serbe brenda shtetit tonë sovran pa dhënien e një statusi politik Luginës së Preshevës.
“Me Luginën e Preshevës duhet marrê seriozisht e jo vetëm të luhet me ndjenjat e qytetarëve tanë nga skena politike e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kadriu
Ndërsa, Adnan Salihu ka thënë se Lugina e Preshevës është çështje që duhet të trajtohet me kujdes dhe jo vetëm në çështje ekonomike, por edhe në atë politike duhet të zgjidhet një herë e mirë dhe finale për këto tri komuna.