/2L ONLINE/ – Në këto kohë me shumë halle e derte, a do të mundemi ne shqiptarët e Kosovës të jemi njëkohësisht edhe praktik edhe këmbëngulës për një çështje të rëndësishme për të tashmen dhe për të ardhmen tonë : ta forcojmë Republikën e Kosovës e të mbesim shqiptar ashtu sikur që edhe jemi në të vërtetë?
Ne jemi edhe Shqiptar edhe kosovar në të njëjtën kohë, në të njëjtin moment, të tillë kemi qenë kur ishim banues të Vilajetit të Kosovës me Shkupin kryeqytet, të tillë ishim edhe nën pushtimin kolonial të Serbisë e Jugosllavisë dhe të tillë jemi edhe sot e kësaj dite, shqiptarë të shtetit të Kosovës.
Dhe ky shtet me simbolet që i ka e të cilat disa nga ne nuk i pranojnë dhe madje shpërndajnë edhe fyerje për to, është fryti i ëndrrës sonë për liri, fryti i vuajtjeve dhe sakrificave tona të mëdha dhe këtë shtet e me këto simbole, e njohin sot kombe dhe aleanca politike të fuqishme ndërkombëtare, e njeh gjysma e botës.
Republika e Kosovës ka lindur (dhe çdo krijese që lindë nuk është e shëndetshme t’i thuhet kthehu te’mas!) si rezultat i dëshirës dhe përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës në rendë të parë si dhe intervenimit politiko-ushtarak të SHBA-ve dhe aleatëve të saj Evropian, të cilët këtë intervenim e kanë arsyetuar dhe vazhdojnë ta arsyetojnë para opinionit mbarë botëror me nevojën e shpëtimit të një populli nga katastrofa e cila po i shkaktohej nga Serbia e Millosheviqit, gjë që edhe në të vërtetë po ndodhte.
Po mos të intervenonte ushtarakisht NATO (lexo: Tony Blair dhe Bil Clinton), Shqiptarët e Kosovës vështirë se do të mbijetonin në këtë territor në të cilin me 17 shkurt 2008 e shpallën Republikën e tyre të cilën e kishin kërkuar dhe për të cilën ishin sakrifikuar një shekull të tërë.
Thank you USA, thank you Great Britain, thank you Germany, Good bless you!
Në këtë drejtim nuk duhet assesi të harrohet edhe mundi dhe sakrificat e patriotëve shqiptar si Adem Demaçit me shokë të cilët e çuan jetën nëpër demonstrata e nëpër kazamate të Jugosllavisë e Serbisë, duke i kërkuar të drejtat që na takonin dhe duke e mbajtur gjallë dritën e vetëdijes sonë politike dhe nacionale; mundin dhe sakrificat e Ibrahim Rugovës me shokë, i cili duke e pas përkrahjen e madhe të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, e legjitimoi ndërkombëtarisht të drejtën tonë dhe e shtroi rrugën e ecjes sonë politike për realizimin e Republikës së Kosovës. Dhe patjetër edhe luftën davidiane të Adem Jasharit, familjes së tij të nderuar dhe shokëve të tij të radhitur në radhët e luftës për liri nga zgjedha shekullore serbe, në radhët e UÇK-së së lavdishme.
Por sikur ka thënë psikologu i famshëm Erich Fromm, ka dy lloje të lirisë: “liria nga dhe liria për”, ashtu edhe ne u liruam nga ushtria e Serbisë por kjo liri nuk ishte edhe liri për vetëvendosje politike.
Në fakt gjithkush mundë të thotë me të drejtë se as nga Serbia nuk u liruam njëherë e mirë pasi që ajo me paraformacionet e ndryshme të saj, deri më sot ende nuk është tërhequr nga pjesa veriore e Kosovës si dhe me politikën e saj agresive antikosovare të pranishme gjithandej nëpër vendbanimet e serbëve të Kosovës e më gjerë.
Pra fjalën kryesore për fatet politike të Kosovës pas lufte e patën dhe mbase ende e kanë, ato shtete mike të cilat edhe praktikisht e çliruan Kosovën nga soldateskat e Serbisë, dhe këto shtete dhe të tjera të përfshira nëpër institucione brenda dhe jashtë Kosovës, i drejtuan proceset politike në Kosovë e më gjerë në Ballkan drejt krijimit të një shteti tëri, jo sipas dëshirës së shumicës së popullit të saj, një shtet shumetnik në të cilin jetojnë shqiptarët dhe komunitet e tjera ashtu siç shkruan në kushtetutën e saj, duke e lënë Serbinë palë të pakënaqur në këtë proces pozitiv për Kosovën dhe për stabilitetin afatgjatë rajonal.
Normalisht që shumica shqiptare e Kosovës do të dëshironte që ky shtet ta kishte për flamur shqiponjën e zezë dykrenore në fushë të kuqe, që për himn t’i kishte vargjet e poezisë së Asdrenit dhe ndoshta të quhej Shqipëria Veriore, ose të bashkohej me nënën/motrën e saj Republikën e Shqipërisë.
Një gjë e tillë ka mundur të ndodhte në rast se ne do ta shporrnim Serbinë vet me forcat tona në ’99-tën, në rast se Shqiptarët do ta bënin shtetin e tyre para Serbisë e jo më 1912-tën e pastaj Serbia t’ia kishte marr Kosovën shtetit shqiptar dhe jo Perandorisë Osmane, atëherë pra në një situatë të tillë hipotetike bashkimin e Shqiptarëve në Ballkan vështirë se do të mundë ta kundërshtonte kush.
Por dëshirat dhe situatat hipotetike janë tjetër e realitetet tjetër gjë.
Realiteti është që e kemi kërkuar Republikën e Kosovës dhe ja ku e kemi, nuk është bash si e kemi ëndërruar por edhe keç nuk është, armiqve tanë shpirti ju ka përvëluar dhe vazhdon t’iu djegë për fatin që na ka takuar, prandaj ju lutem ta duam e ta ndërtojmë Republikën e Kosovës, Republikën e Shqiptarëve të Kosovës!
Ne kemi fituar një pavarësi të kushtëzuar dhe një nga këto kushtëzime e sanksionuar me kushtetutë thotë që Republika e Kosovës nuk do të kërkoj t’i bashkëngjitet ndonjë shteti tjetër, pastaj super të drejtat e minoritetit serb plus ato që po dalin nga dialogu i Brukselit i cili ende po vazhdon.
Të gjitha këto janë kushte për Pavarësinë e Kosovës dhe dëmshpërblime për serbët dhe Serbinë, për parajsën e tyre të humbur në Kosovën e pushtuar nga Serbia në të cilën shqiptarët ishin qytetarë të dorës së fundit.
Në fakt disa shtete Evropiane sikur e kanë ndier dhe vazhdojnë ta ndiejnë veten me faj për shkak të bombardimit të Serbisë më 1999-tën dhe për shkak të pranimit të shkëputjes së Kosovës nga ajo.
Ky fakt dhe frika nga aleanca eventuale ushtarako-politike ruso-serbe, kanë bërë që BE-ja të tregohet shumë tolerante dhe dorëlirë në marrëdhëniet me Serbinë e cila pas lufte në Kosovë ka synuar të merr çka të mund të marri ndërsa për shkak të udhëheqjeve politike kosovare të pa afta dhe korruptive i ka rritur çdo ditë apetitet e saj karshi ish kolonisë së saj të dalë dore.
Dhe në këtë drejtim është fakt që e ka ndihmuar dhe po e ndihmon edhe më tutje Rusia e ringjallur fuqishëm në skenën gjeopolitike botërore.
Një mjeke amerikane në vitin 1999 më pati thënë që Kosova do të bëhet shtet multietnik, e unë i habitur i thash: “are you out of your mind?!, si bëhet Kosova multietnike kur i ka 90% shqiptarë, 5% Serb e 5% minoritete të tjera!” e ajo ma ktheu, “prit sa të shohësh!”
Doli se ajo kishte pasur të drejtë apo mbase edhe e ka ditur edhe para se të vinte në Kosovë në misionin e sajë si mjeke humanitare!?
Ne nuk mund të shtiremi, së paku jo elitat politike, se nuk e kemi ditur se do të duhej të merren vendime të rënda dhe të bëhen kompromise të dhimbshme në këmbim të pavarësisë së kërkuar me të drejtë nga ana jonë.
Për hir të pasjes së shtetit tonë kemi “gëlltitur” shumëçka, edhe multietnicitetin në kushtetutë, edhe ekstra të drejtat për pakicën serbe në radhë të parë dhe pa pas mundësi t’i kërkojmë të drejtat e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në kuadrin e Serbisë, për shkak të gabimeve dhe pafuqisë sonë politike.
Kushtëzimin për të mos kërkuar bashkim me shtete të tjera bashkësia ndërkombëtare përmes planit të Ahtisarit na e ka vënë për ta penguar bashkimin tonë me Shqipërinë,për ta ruajtur në këtë mënyrë stabilitetin politik në Ballkan dhe me gjasë edhe për shkak të insistimit të fuqishëm të Serbisë dhe protektorit të saj Rusisë.
Dëshira e Shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë është e drejtë dhe ata nuk duhet të frikësohen nga paraqitja e saj, por në asnjë mënyrë nuk bën të nënçmohet mënyra dhe tajmingu i aktualizimit të kësaj çështjeje politike.
Kosova në historinë e saj ka përjetuar dy zhvillime fundamentale shpirtërore, kulturore dhe politike të cilat kanë kulmuar me dy lindje të rëndësishme, dhe njëra në të vërtetë ishte rilindje.
E para është Rilindja dhe forcimi i identitetit shqiptar të shumicës së banorëve të Kosovës, proces ky që në fakt fillesat i ka gjatë luftës së dytë botërore dhe pas saj, për të arritur kulminacionin e saj eksploziv në vitet e 60-ta dhe 70-ta të shekullit të kaluar.
Kjo është më së shumti meritë e Shqipërisë, e cila për aq sa ka mundur e ka mbajtur gjallë dhe i ka dhënë impulse forcimit të identitetit shqiptar te shumica e kosovarëve dhe e ka inkurajuar aktivitetin e tyre politik për kërkimin e të drejtave nacionale dhe njerëzore të nëpërkëmbura.
Në këtë vazhdë nuk bënë në asnjë mënyrë të anashkalohet edhe veprimtaria politike e patriotëve shqiptar kosovar të cilët sakrifikuan çdo gjë duke u djegur si qiriri te fjalët e Naimit për t’ju ndriçuar rrugën bashkëkombësve të tyre të robëruar.
Mrekullia e dytë, lindja e dytë, është lindja e shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit u shpall solemnisht dhe me dakordancën politike të Aleancës Euroatlantike me 17 shkurt të vitit 2008.
Shtetësia e Kosovës fillesat i ka nga 1968-ta, te 74-ta, për ardhur te 2008-ta (i kam përmendur vetëm vitet e avancimit të statusit politik të Kosovës) e për të vazhduar edhe sot e kësaj dite se ende nuk ka përfunduar gjithçka.
Pra lindja e shtetit të Kosovës nuk është një ngjarje artificiale, ajo e ka historinë e vet, edhe pse kjo lindje ka ndodhur nën përkujdesjen ndërkombëtare (lexo-amerikane), dhe nëse për diçka është sui-generis, është për shkak të kësaj përkujdesjeje dhe këtij solidariteti ndërkombëtar.
Historia jonë është vërtetim eklatant i postulatit të mirënjohur se politika është arti i së mundshmes.
Si Kosovë jemi nisur dhe mbështetur nga vendimet e Mukjës dhe nga Konferenca e Bujanit më 1943 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, vendimet e të cilave pastaj i tradhtuan komunistët shqiptarë dhe serb së bashku, për vazhduar me platformën e Republikës së Kosovës në kuadër të ish Jugosllavisë e për të përfunduar me Shtetin e Pavarur të Kosovës në vitin 2008.
Një plak i mençur më ka thënë njëherë: “mos i ndrydh dëshirat se bylbyli në kafaz nuk këndon, por dije edhe se ti mund të bësh çka të duash, por jo sa të duash”.
Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk mundë të ndodhë pa dëshirën e dy anshme të masave të gjëra popullore dhe pa gatishmërinë dhe iniciativat e elitave politike korresponduese, nuk mund të ndodhë pa fuqizimin e mëtejshëm të të dyja shteteve tona e posaçërisht të Kosovës dhe nuk mundë të ndodhë në kushte jo të favorshme gjeopolitike dhe pa pranimin e këtij procesi nga ana e fuqive vendimmarrëse të politikës botërore.
Kjo punë, do punë dhe gjithsesi do kohë për t’u bërë dhe rruga më e mirë për shumicën e banorëve të Kosovës është forcimi i Republikës së tyre, pranimi i simbolikës së saj shtetërore dhe njëkohësisht ruajtja e identitetit nacional shqiptar.
Unë nuk shoh ndonjë problem në faktin që ne jemi shtetas të Kosovës me identitet kombëtar shqiptar dhe insistimi i qarqeve të huaja për zëvendësimin e identitetit kombëtar shqiptar me atë kosovar mund të jetë konspiracion ndërsa opinionet e disa individëve kosovar në këtë drejtim janë pandershmëri.
Ne si popull shqiptarë mbërritëm deri te Pavarësia e Kosovës, e tash: “ E kalova greminën ta pshurrsha urën!”, JO! Kjo nuk është në rregull, kjo është mungesë dinjiteti dhe papjekuri kolosale.
Rreth Ballkanit e për Ballkanin aktualisht ka dy platforma politike ndërkombëtare , njëra është ajo Euroatlantike e stabilitetit rajonal, e pajtimit të popujve dhe integrimit të tyre në BE dhe në NATO, kurse tjetra më e panjohur aktualisht e që për bartës fillestar ka bllokun potencial Serbi-Rusi dhe disa të tjerë nëse u ecën puna, që për qëllim ka avancimin me çdo kusht të interesave nacionaliste serbe dhe imperialiste të Rusisë, e cila platformë vështirë se i sjell të mira ballkanasve dhe të tjerëve më larg.
Së këndejmi shqiptarët duhet pas shumë kujdes që të mos i ndihmojnë as edhe indirekt dhe me pavetëdije planeve pansllaviste!
Për më tepër e tek e fundit shqiptarët përveç interesit të tyre politik dhe jetik e kanë edhe për detyrë morale bashkëveprimin me aleancën politike amerikano-evropiane, ngase falë ndihmës së tyre sot i kemi dy shtete në Ballkan.
Por nëse, vetëm nëse, ndodhë përfshirja më e fuqishme e Rusisë në Ballkan me ç’rast do të shkaktohej një krizë e madhe dhe do të mund të prisheshin ekuilibrat gjeopolitik rajonal dhe ndërkombëtar, atëherë edhe shqiptarët do të detyroheshin natyrshëm t’i shikonin punët e veta si një komb që janë, për të mos mbetur popull dhe territor për kompromise dhe për premisa të padrejta të ndonjë stabiliteti post konfliktual.
Pyetja që lindë natyrshëm karshi situatave të tilla hipotetike është se deri kur do të na mbrojë NATO-ja dhe për më tepër sa jemi të aftë ne të mbrojmë vetveten tonë?
Kanë thënë të vjetrit tanë se shokët i zgjedh si të mundesh, ndërsa vëllanë ta ka lindë nëna për ditë të zeza, prandaj vëllezër e motra shqiptare ta ndihmojmë njëri tjetrin, Shqipëria Kosovën e Kosova Shqipërinë, mos t’i zmadhojmë dallimet që i kemi!
Ta forcojmë shtetin e ri të Kosovës, shtetin tonë, ngase duke mos i pranuar simbolet e saj shtetërore, duke e penguar forcimin dhe afirmimin e saj ndërkombëtar ne në fakt e pengojmë bashkimin kombëtar faktik i cili ka kohë që ka filluar dhe e prolongojmë edhe atë juridik që mund të ndodhë në të ardhmen nëse vazhdojmë ta dëshirojmë të gjithë!
Një ide që ka kaluar pa u diskutuar shumë që me një rast e ka shprehur Sali Berisha e cila do ta pengonte largimin eventual identitar dhe politik të shqiptarëve ndërmjet veti ishte që Shqipëria ta krijojë një flamur të ri shtetëror për vete, ndërsa flamuri i saj aktual të mbetej flamur kombëtar edhe i Kosovës edhe i Shqipërisë.
E kam admiruar Sali Berishën edhe kur ka kërkuar që Republika e Shqipërisë ta bëjë euron valutë të saj për hir të bashkëveprimit më të lehtë ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
A mundë ta cilësojmë raportin e Shqipërisë dhe Kosovës në aspektin nacional si raportin e një nëne më të bijën e saj dhe në aspektin shtetëror si raportin e dy motrave në mes veti?
Nëse po, jo gjithherë nënat me të bijat dhe motrat në mes vete kanë raporte të mira dhe për më tepër ato kanë identitetet e veta dhe i shikojnë punët e veta.
Nëse ky përngjasim është i saktë me situatën tonë atëherë ideja e Sali Berishës ja vlen të mendohet, vetëm se sakrifica në këtë rast do të kërkohej prej Shqipërisë.
Nga ana tjetër ka shumë shqiptarë që mendojnë se edhe po të mbesim kështu si jemi me dy shtete juridikisht të ndara nuk është problem dhe mbase edhe përparësi, dy bëjnë më shumë se një thonë ata.
Është e pamohueshme që ne shqiptarët jemi vonuar për disa punë të cilat shumica e popujve të Evropës dhe Ballkanit i kanë kryer dukshëm para nesh, por me pak më tepër kujdes dhe ndershmëri politike ardhmëria e Ballkanit e më gjerë mund të jetë e shënuar nga sukseset tona.
Dhe për fund ju lë me fjalët e një kënge të kënduar para lufte në Kosovë nga këngëtari i mirënjohur kosovar Shaqir Cërvadiku, e keni dëgjuar besoj shumë nga ju, është rikënduar në një version pak më ndryshe nga një grup këngëtarësh nga Shqipëria dhe Kosova para do kohe dhe kjo këngë e tregon më së miri se kush ishin dhe besoj ende janë Shqiptarët e Kosovës.
Kënga fillon dhe mbaron me këto fjalë: “Shqipërinë e dua se jam Shqiptar, Kosovën e dua se jam Kosovar”. /2L ONLINE/