Më rastisi sot ta shoh një video në rrjete sociale ku dikur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, tani kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i bërtiste me sa zë që kishte një zyrtari të Policisë së Kosovës me këto fjalë: “o majmun, shko në Mitrovicë, në Urë t’Ibrit, ti kanë poshtrue kolegët tu, s’tu ka ni zani. Ik tash, ikkkk tash”.
Pra, pas pak vitesh, i njëjti merr pushtetin përmes premtimeve e kauzave të rrejshme dhe i dorëzohet Serbisë, në çdo pikëpamje.
Shkruan: Ardian Azemi
Albin Kurti i dikurshëm kur e shante zyrtarin e Policisë Kosovës që nuk po shkon në veri të Mitrovicës por po arreston protestues në sheshet e Prishtinës, në cilësinë e kreut të qeverisë, në vend që të shtrij autoritetin e shtetit në gjithë territorin e vendit, po e poshtëron jo një polic, disa, por gjithë Policinë e Kosovës, ndërsa qaty afër shesheve të kryeqytetit po shkarkon borde e po i ngarkon militantët e partisë së tij. Kryeministri Kurti, po e poshtëron shtetin, sepse e ka vënë në respektim të masave që i vendosë Serbia në komunat veriore.
Është e habitshme që një politikan që në popull shihej si shpresë, si alternativë e vetme, të shndërrohet në rrezik për vendin. Shihni në çfarë derexhe e ka sjellë partneritetin me ShBA-t, kryekëput për shkak të politikave të tij të karakterit enverist.
Komunikimi në distancë me amerikanët, përpjekja e tij për tu lidhë me shumë e më fort me evropianët, dhe mashtrimet që i janë bë zyrtarve të departamentit të shtetit, ka bërë që ShBA të zbeh vëmendjen ndaj Kosovës. Kjo është e rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Diplomacia e do balancin, jo veç me Amerikën pa Evropën, dhe jo veç me Evropën pa Amerikën – me të dyja bashkë e përgjithnjë, me seriozitet e qëndrueshmëri.
Për fund,
Nuk patën lanë gjë pa iu thënë të tjerëve për punësimet familjare e partiake. I patën quajt kapës të shtetit, ndërsa shtetin – shtet të kapur. Në afat rekord e ç’kapën dhe e kapën vet. Nuk iu deshën më shumë se 60 ditë që ta ç’kapë dhe ta kapë çdo ndërmarrje publike.
E hoqën taksën, ia rikthyen tregun Serbisë, ia ndalën prodhimin e miellit mullisëve, e rrejtën popullin për reciprocitet, dhe si qeveri e kryeministër i rrëzuar, po bënë përpjekje që urrejtjen patologjike ndaj gjithë atyre që mendojnë ndryshe, ta shndërroj në platformë të tij politike dhe qeverisëse.
Kosova gjeografikisht është larg atyre vendeve ku i ha pazari diktaturat.