Me rastin e pensionimit të rregullt të kolonel Bashkim Shillova zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi në emër të Komandantit të FSK-së ndau Medaljen e Karrierës në shenjë falënderimi për kontributin dhe angazhimin maksimal gjatë kohës së shërbimit në FSK.
Me këtë rast, gjeneral Cikaqi e falënderoi për punën e palodhshme gjatë shërbimit të tij në FSK si dhe për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij në ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kolonel Bashkim Shillova u lind në Prishtinë me 28.09.1967. Kishte të përfunduar fakultetin për Artileri si dhe magjistraturën në Shkencat e Sigurisë dhe Kolegjin e Luftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën Operative të Llapit si dhe pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës me gradën nënkolonel, në detyrën oficer për Operacione në Shtab të Përgjithshëm. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës kolonel Shillova ka shërbyer në pozita dhe detyra të larta dhe me përgjegjësi si shef i departamentit të Operacioneve në Ministrinë FSK-së, Shef i departamentit të Operacioneve dhe trajnimit në KFT, Atashe i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, ndërsa përfundon karrierën ushtarake duke shërbyer në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. /2LONLINE/