(2L ONLINE) – 24 Qershor, ora aty rreth katërmbëdhjetë pasdite. Grumbull njerëzish para një filiale të një banke në qytet. Ca ulur aty ku kishin mundur, të tjerët në këmbë. Më shumë pleq e plaka që prisnin me durim sepse s‘kishin tjetër rrugëdalje. Po mundoheshin të shkretët të lidhnin fillin edhe ashtu të këputur të këtij muaji me muajin e kaluar, me një shumë parash që i kanë marrë dhe do merrnin në formë as pension, as ndihmë sociale, e cila shpesh nuk u mjafton as për gjërat elementare që do u shërbenin për trupin dhe shëndetin e tyre, e lëre më për ndonjë gjë tjetër!
Kishte të tillë që po prisnin që nga ora shtatë e mëngjesit. Ndërsa Hava një grua e moshuar që ishte ulur tok me të tjerë në shkallet e ftohta që shpijnë për në hyrje të ndërtesës, na thotë se aty gjendej që nga ora tetë e mëngjesit dhe as kishte ngrënë gjë, dhe në një ditë vere qershori, as kishte pirë gjë! Për më keq, ishte edhe e sëmurë nga, siç i thonë në popull, sëmundja e sheqerit (Diabeti).
Dhe. jo që ishte ajo e vetmja aty me probleme shëndetësore. Më besoni as që i kishte shkuar mendja ndonjërit, a institucioni që t’u sillnin të paktën nga një gotë ujë! Edhe pse kafiteri me shumice gjendeshin shumë pranë aty.
Mjerisht, tani që jemi të lirë sikur kemi humbur çdo ndjenje solidariteti për njeri-tjetrin e që nuk na mungonte kur nuk ishim të lirë! Athua pse?! /Xhelil ARIFI / 2L ONLINE/