Ofendimet e përsëritura që Lut Haziri po i drejton në adresë të koalicionit të PDK-së, duke mos kursyer as ofendimet për UÇK-në dhe përqeshjen me termat komandant e brigada, na detyron ta sqarojmë elektoratin e tij për kuptimin e gjuhës së tij të shthurur, gjuhë kjo që i shkon vetëm atij dhe mund të kuptohet vetëm kur e njeh një mostër të tillë.
Luta, para së gjithash, ta kursejë UÇK-në nga komentimi në kontekstin pezhorativ e shpifës kur përdor termat komandant dhe kur brigadat i quan brigada të kuqe, pasi kjo është e patolerueshme për një zyrtar të këtij shteti. Ndonëse Lutës i falet.
Me këtë reagim nuk kërkojmë që Luta të paraqitet ndryshe, sepse kështu do t’i kërkonim ta gënjente opinionin. Ky është Luta i vërtetë.
Por, për hir të së vërtetës, duke qenë se këto vlera sot padyshim gjenden te koalicioni PDK, AAK, NISMA, Lëvizja për Bashkim e të tjerët, nuk lejojmë që këto simbole të përdhosen për interesa elektorale. UÇK, komandantët dhe Brigadat, i përkasin historisë së gjithë popullit, pa dallime partiake. Pak rëndësi ka që drejtuesit kryesorë sot janë në këtë koalicion. Përqeshja e tyre dhe aludimi pezhorativ në çfarëdo forme është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet.
Ndërkaq, aplauduesit e ofendimeve të tij duhet të kenë të qartë disa fakte, pse vjen kjo gjuhë që synon të manipulojë me ndjenjat e tyre.
Iluzionisti Lut Haziri po përdor simbolika të zbrazëta dhe ofendime për ta hipnotizuar elektroatin e tij, në mënyrë që t’i shpëtojë llogaridhënies për fundin e tij të dështuar.
Në zgjedhjet e fundit, Lutfi Haziri i kishte kërkuar votat për projekte zhvillimore, e jo për elozhet për figurat historike, sepse heronjtë i bën të rëndësishëm vepra e tyre e jo elozhet e Lutës.
Luta nuk është kryetar i Institutit të Historisë as i Akademisë së Shkencave që të merret me hartimin e enciklopedive as të albumeve të heronjve. Ai më së paku i njeh heronjtë. E historia e tyre më së paku ka nevojë për dekoratat e Lutës.
Duke i parë këto dështime: I refuzuar nga partia e tij në qendër, besimin e humbur nga qytetarët, telashet e mëdha që ka me bizneset dhe me ligjin, të cilat përditë po i dalin për fushe, Lutfi Haziri është bërë më histerik se kurrë.
Ai, me një “qetë ushtarësh”që madje as komandant s’patën kurrë, po merret me kampionin – fituesin e zgjedhjeve të ardhshme, Partinë Demokratike të Kosovës, me Kadriun e Ramushin – me “vrasësit” – siç ai me urrejtje i quan drejtuesit e UÇK-së, ata të cilët në fakt ishin vrasësit e frikës dhe të robërisë shekullore.
Për fund, do të ishte mirë që Luta, si fetar që herë është e herë s’është, të paktën në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, t’i respektojë disa prej parimeve themelore Islame: të mos gënjejë, të mos shpifë, të mos ofendojë dhe të mos bëjë thirrje për urrejtje.
*Hapësirë e sponsorizuar – Zgjedhjet Nacionale 2017