Është shqetësues presioni dhe kërcënimi nga ana e Kryetarit të Komunës Sokol Haliti ndaj mediave lokale e në veçanti ndaj TV Plus dhe jo vetëm kundrejt mediave por edhe shoqërisë civile dhe bizneseve, është tendencë për të shuar zërin opozitar në Viti dhe fshehur të gjitha keqpërdorimet e tij dhe familjes së tij si dhe një klike të LDK-së duke krijuar një ambient errësire dhe shantazhi për këdo që ka guximin ti kundërvihet kësaj qeverisje të keqe në Viti.
Kështu thuhet në një reagim të Degës së PDK-së në Viti, dërguar redaksisë sonë, përmes të cilit reagim PDk bënë thirrje Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit të Pavarur të Mediave, Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës që të reagojnë fuqishëm në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe informimit korrekt në Komunën e Vitisë nga ata që dëshirojnë ta ngulfasin këtë, pikërisht një natë pasi u sulmua gazetarja Arbana Xharra.
“Sulmi i mbrëmshëm në Prishtinë ndaj gazetarës Arbana Xharra dhe presioni i Kryetarit Sokol Haliti ndaj TV Plus, tregojnë se Vitia po tentohet të qeveriset nga e njëjta mendësi që nuk duron mendim tjetër përpos atij mendimi që përfaqëson “ prijësi i dashur” sikur në Kore Veriore.
I bëjmë thirrje Sokol Halitit të ndalë hajkën ndaj mediave të pavarura sepse Republika e Kosovës është vend demokratik dhe kushtetuta e saj mbron të drejtën për informim të lirë e të paanshëm. Sokol Haliti nuk mund ta shndërrojë Komunën e Vitisë në çiflig të tij e familjes, sepse qytetarët e Komunës së Vitisë do ta ndalojnë këtë qeverisje manipulatore, presioni ndaj TV Plus dhe gazetarëve është tregues se z. Haliti me klikën e tij është në panik dhe ndëshkimin do e marrë në vjeshtë të këtij viti”, thuhet n fund të reagimit të PDK-së së Vitisë.