/2L ONLINE/ – “Të gjithë kanë mundur t’i gëzohen fillimit të vitit të ri shkollor, edhe kryetari I komunës po, gjithsesi (ashtu siç e kemi thënë sot me fillim-ditë), por jo njëmijë nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike “Mehmet Isai”, në Gjilan, bashkë më mësimdhënësit e tyre. Kampusi i shkollave të mesme, të cilin sot e inauguroi (fazën e parë) kryetari I Komunës me stafin e tij, duket diçka e mirë për Gjilanin; për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, e disa shkollave të mesme që janë brenda këtij. Mirëpo, njëra prej këtyre shkollave, ajo Teknike, nga sot e ka drojën e ballafaqimit me telashe serioze për zhvillimin normal të procesit arsimor në këtë shkollë, për arsyet që duken nga secili kalimtarë pranë shkollës, po edhe arsyet a atyre brenda shkollës”.
Kështu nis reagimi i Zyrës për Informim të PDK-së për të shtuar më tej se në vend që të krijohet hapësirë edhe më e madhe për shkollën, ajo tash është tkurrë nga komuna, është uzurpuar, duke i dhënë prioritet zgjerimit të rrugës, përgjatë rrethojës së oborrit të shkollës, me ç’rast, edhe atë pak oborr që ka pas kjo shkollë, tashmë grilat ia keni ofruar te hunda, madje në anën lindore, dalja është më pak se dy metra distancë mes rrugës dhe shkollës, ku e pengon zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Me anë të këtij projekti, Shkollën Teknike, komuna e ka lënë edhe pa hyrje të veten, të veçantë, gjë që, përmes një hyrje tjetër të përbashkët me nxënësit e Gjimnazit, shkaktohen vonesa për mësim, po ashtu edhe konfliktet mes nxënësish të shkollave të ndryshme, janë të pashmangshme. Edhe për rastet emergjente, ndërhyrja e zjarrfikëseve po edhe furnizimi me lëndë djegëse për shkollën, është e pamundur. Tani, kur ne ngremë këtë shqetësim, qytetarët njoftojnë për një protestë në këto çaste të mësimdhënësve të kësaj shkolle, pikërisht për këto pengesa që I ka vënë komuna për shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan”, thuhet në reagimin e mëtutjeshëm të Zyrës për informim të PDK-së së Gjilanit, e cila iu është kundërpërgjigjur edhe reagimit që anëtarja e Kuvendit nga radhët e LDK-së, Rina Ahmeti e kishte bërë më parë (shih shkrimin: Ahmeti e quan PDK-në “qorre” që nuk po e sheh dallimin e ish qeverisjes së saj me të LDK-së tani), duke thënë: “Nëse ne (PDK) jemi “verbuar”, ju znj. Rina Ahmeti (LDK), shkoni te shkolla e mesme teknike, madje edhe me symbyllur, mund ta ‘shihni’ atë fare i keni sjellë “peshqesh” kësaj shkolle…! /2L ONLINE/