(2LONLINE) – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan i dorëhiqet edhe një kryetar nëndege. Naim Musliu, më nuk është kryetar i nëndegës së Livoçit të Epërm të PDK-së, pasi ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.
Naim Musliu, ka bërë të ditur për Portalin 2Lonline se ka njoftuar kryesinë e Degës së PDK-së dhe Këshillit Koordinues në Gjilan, se që nga sot, më 15 prill 2014, jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të nëndegës së PDK-së në Livoç të Epërm dhe nga të gjitha pozitat tjera në strukturën e kësaj partie.
“Arsyeja e kësaj dorëheqje vjen nga pamundësia për të dhënë kontributin tim në këtë parti në rrethanat e krijuar dhe për çështje personale largohem nga strukturat e PDK-së si në nivel të degës ashtu edhe të nëndegës. Me ç’rast i falënderoj së pari zgjedhësit e mi që më besuan për të udhëhequr Nëndegën në këtë periudhë kohore dhe i falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë të gjithë votuesve dhe strukturave të PDK-së si në Degën e Gjilanit dhe Nëndegën e Livoçit të Epërm të PDK-së”, ka thënë Musliu.
Përndryshe, ai ka bërë të ditur se tani për tani do të përqendrohet në studimet e doktoraturës qe po i ndjekë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, drejtimi i Historisë. /2lonline/