/2L ONLINE/ – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, ka adresuar kritika në adresë të pushteti në Gjilan dhe si shkas ka marrë punimet në hyrje- dalje të qytetit, në drejtim të Kamenicës, ku sipas këtij subjekti opozitar, rrugët që kryetari i komunës, Lutfi Haziri – Luta, i ka quajtur rrugë me standarde evropiane, po arnohen akoma pa iu prerë shiriti, si punë të finalizuara.
“Kur tërhoqëm vërejtjet tona si opozitë, për anomalitë dhe keqpërdorimet e shumta që po ndodhin në disa projekte të infrastrukturës rrugore në komunën e Gjilanit, nuk e kishim qëllimin ta realizonim veten vetëm duke kundërshtuar nga këndvështrimi opozitar por, e kishim njëmend dhe arësyeshëm të mbrojmë qytetarët tanë nga kjo qeveri krejtësisht e papërgjegjshme”, thuhet në një reagim të PDK-së, lëshuar përmes Zyrës për informim.
Më tej në këtë reagim thuhet se: “Tek sot, më në fund, komuna e Gjilanit, “e pa”, me ç’rast u detyrua ta prej asfaltin e rrugës së ashtuquajtur “rrugë me standarde evropiane” në hyrje – dalje të qytetit, në drejtim të Kamenicës, për ta arnuar nga qarjet dhe plasaritjen e mëdha, të shkaktuara nga kualiteti jashtëzakonisht i dobët i punimeve të kësaj rruge”.
“Ne do të ngremë zërin tonë opozitar, pareshtur, vetëm atëherë kur cenohet dhe dëmtohet interesi i qytetarëve të Gjilanit dhe komunës sonë, duke e luftuar pakompromis të keqen që po i ndodhë qytetarëve tanë, tash e tri vite, nga pushteti i stërkequr i LDK-së në Gjilan, në krye me z. Lutfi Haziri”, thuhet në fund të reagimit të PDK-së së Gjilanit, bërë përmes Zyrës për Informim, e ilustruar edhe nga këto foto të mëposhtme. /2L ONLINE/