Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është e vetmja forcë politike që Gjilanin do ta kthejë në rrugën e duhur të zhvillimit, rendit dhe ligjit.
Mobilizimi i strukturave të PDK-së, do të ndryshojë qeverisjen në komunë dhe do ta nxjerr Gjilanin nga depresioni i thellë ekonomik, nga bërlloku që e ka mbuluar çdo lagje, fshat e vendbanim. Qytetarët e Gjilanit nuk i kanë pasur kaq shumë borxh një kryetari dembel dhe të papërgjegjshëm.
Kështu thuhet në komunikatën e PDK-së, lëshuar nga Ilir Tahiri, Zyra për Informim, sipas të cilës komunikatë, PDK, është e angazhuar seriozisht dhe maksimalisht që në zgjedhjet komunale, të garojë me kandidatë të dëshmuar dhe kuadro profesionale, të cilët e kanë dijen, përvojën dhe guximin për të bërë punë të mëdha dhe të rëndësishme në interes të qytetarëve.
“Programi i qeverisjes katërvjeçare dhe kandidati për kryetar të komunës nga PDK, do të jenë shpresa e vetme dhe besimi për qytetarët që e duan të mirën për Gjilanin”, thuhet tutje në komunikatën në fjalë.
“Interesimi i qytetarëve të cilët e duan ri-kthimin e qeverisjes së PDK-së në Gjilan është i lartë, ata e kanë pranuar se në zgjedhjet e kaluara komunale, gabimisht i kanë besuar një kryetari i cili çdo herë ka bërë lojëra politike për përfitime dhe interesa personale dhe të një klani i cili e rrënoi zhvillimin e komunës dhe perspektivën e qytetarëve të Gjilanit”, thuhet në fund të komunikatës.