(2L ONLINE) – Devijimi i procedurave ligjore nga komuna e Gjilanit, gjatë realizimit të projekteve po paraqet probleme serioze, të cilat po dëmtojnë buxhetin komunal dhe qytetarët e Gjilanit, nga keq menaxhimi dhe mbikëqyrja joadekuate në ekzekutimin e projekteve në infrastrukturë, thuhet në një reagim të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në KK Gjilan
Sipas këtij reagimi, gjatë muajve të fundit në lagjet e qytetit të Gjilanit, ka disa projekte që kanë filluar të realizohen në asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave, të pa planifikuara dhe të pa parapara në kontratat e lidhura me operatorët e kontraktuara nga komuna, si pasojë e ndërhyrjeve jo ligjore, nga ana e disa zyrtarëve komunal dhe e Këshilltarëve Komunal të LDK-së, duke i imponuar kompanive të kontraktuar nga zyra e prokurimit, që të kryejnë asfaltim shtesë të rrugicave të pa planifikuara, e që janë pranë shtëpive të tyre apo “funksionarëve të pushtetit”.
E, Riad Rashiti, këshilltar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, thotë se ka rrugë nëpër qytetet, konkretisht në lagjen e Zabelit dhe në lagjen e Dheut të Bardhë, të cilat po asfaltohen pa u kryer fare procedurat e elaborimit dhe të shpronësimit, duke shkaktuar probleme të panevojshme me pronarët e tokave, sepse nuk është marrur asnjë pëlqim prej tyre, pa asnjë procedurë apo ndonjë marrëveshje paraprake. Përmes këtyre veprimeve dhe pa rregullsive nga komuna e Gjilanit, po dëmtohet buxheti komunal, duke krijuar shpenzime të pa planifikuara dhe po dëmtohen pronarët, duke shkaktuar probleme të panevojshme, siç është ky rast (në foto), ku pronarët janë detyruar të ndërprenë punimet dhe të vendosin rrethojë nëpër kufirin e pronës së tyre, të ndier të frikësuar nga komuna për mos shpronësimin që i takon atyre.
Sipas itj, gjithashtu, problem serioz është edhe fakti tjetër, se komuna e Gjilanit nuk ka ende kompani të kontraktuar për mbikëqyrjen e projekteve kapitale, e cila kërkohet sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ. Dhe për këtë mungesë të qëllimshme të kontratës për mbikëqyrje nga kompani profesionale, kryetari i komunës Lutfi Haziri ka formuar komisione mbikëqyrëse për projekte të ndryshme, me zyrtarë komunal por që kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe është konflikt interesi.
Rashiti thotë se përveç kësaj, edhe këto komisione të formuara nga kryetari i komunës, nuk janë aspak profesionale, sepse janë kuadro për lëmi krejtësisht tjera, ndërsa bëjnë mbikëqyrjen e asfaltimit të rrugëve. Po ashtu këto komisioni nuk janë duke dalë mjaftueshëm në teren dhe rolin e tyre pa të drejtë e luajnë këshilltar komunal, duke ndërhyrë në projektet të cilat po realizohen dhe duke urdhëruar pa asnjë procedurë, të shtrojnë rrugica me asfalt, kështu duke bërë ndërhyrje dhe shkelje të ligjit të prokurimit. Përndryshe ai ia ka bashkangjitur një fotografi këtij reagimi. /2L ONLINE/