(2LONLINE) – Udhëheqësit e degës së PDK-së në Viti, nëpërmjet një konference me gazetar, kanë kritikuar qeverisjen aktuale se nuk po bënë atë që ka premtuar. Kryetari i degës Sadik Haxhiu është shprehur se udhëheqja komunale po tregohet jo efikas në raport me mundësit financiare.
“Periudha katër mujore e qeverisjes së kryetarit të komunës dhe qeverisë komunale të Vitisë që nga marrja e detyrës zyrtare, ishte dhe mbetet plotësisht stereotipe dhe pa asnjë peshë në kuptim të përmirësimit të kushteve, të shërbimeve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të komunës sonë, si rezultat konkret i kësaj qeverisjeje. Kryetari i komunës, nënkryetari i komunës dhe qeveria komunale, nga ajo çfarë ata kanë treguar në mbledhjet e Kuvendit Komunal dhe në konferenca për media, rezulton të jenë të ngathtë profesionalisht dhe jo efikas në kuptim të përmbushjes së premtimeve të mëdha dhe megalomane, gjatë fushatës zgjedhore, në raport me mundësitë financiare që ka në dispozicion komuna e Vitisë”, është shprehur Haxhiu transmeton Vitialive.
Ndërsa nënkryetari i degës së PDK-së Nexhmedin Arifi ka ripërsëritur se ai nuk ka lënë borxhe komunës. Ai madje ka theksuar se komuna po mbështetet në projektet e fituara nga qeveria e kaluar dhe se aktualisht thirret në ulje të shpenzimeve, ndonëse nuk kanë pasur çfarë të harxhojnë pasi që nuk ka filluar asnjë projekt kapital.
Arifi ka shfrytëzuar konferencën për shtyp që ti bëjë thirrje institucioneve komunale që mos të thirret vazhdimisht në të kaluaren dhe borxhet, si arsyetim që po jepet në vazhdimësi. Çështja e borxheve nga e kaluara e qeverisë komunale do të qartësohet nga Auditori Gjeneral i Kosovës, ka thënë Arifi.
Lidhur me borxhet, kryetari i degës Sadik Haxhiu ka thënë se pavarësisht ndërrimit të partive politike pozitë / opozitë, projektet kapitale të filluara nga qeveria paraprake duhet të realizohen. Nga ajo çka kemi parë në këta katër muajt e qeverisjes aktuale, ata kanë humbur shumë kohë duke u marr me vajtimin siç kanë deklaruar edhe vetë ata, të borxheve të trashëguara.