(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit është vonuar jashtëzakonisht shumë, për realizimin procedurave të tenderimit dhe ende nuk ka asnjë kompani të kontraktuar për pastrimin e rrugëve nga bora. Kështu thotë Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, sipas të cilëve zyrtarët komunal kanë mashtruar opinioni, duke deklaruar se bora e parë i ka gjetur më të përgatitur se herëve të tjera dhe se të gjitha kompanitë e kontraktuara janë në teren dhe po bëjnë pastrimin e borës, edhe pse bora nuk pastrohet, por rrugët pastrohen nga bora.
Sipas Riad Rashitit, anëtar i Kuvendit nga radhitë e PDK-së, sipas informacioneve zyrtare të KRPP, komuna e Gjilanit tek më datë 5 janar 2015 ka të drejtë me nënshkrua kontratën me operatorin e përzgjedhur nga zyra e Prokurimit, për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në territorin e komunës së Gjilanit, me shpk. Company Zuka Commerce, të cilës i është dhënë tenderi në vlerë prej 59 mijë e 11 euro, më datë 26 dhjetor 2014.
Ai thotë se mos pastrimi dhe kriporja e rrugëve nga bora paraqesin rrezik të madh në qarkullimin normal të komunikacionit dhe pengojnë lëvizjen normale të qytetarëve.
‘Nuk është papërgjegjësia e parë e institucioneve komunale të kësaj qeverisje, ku për projektet me rëndësi për qytetarët e Gjilanit, nuk i kryen asnjëherë procedurat me kohë të tenderimit, kjo ka ndodhur edhe me projektin e dezinsektimit të qytetit, ngjyrosjen dhe renovimin e shkollave, si dhe shumë furnizime të ndryshme gjatë këtij viti janë bërë me vonesa të mëdha, ose nuk janë realizuar fare. Ndërsa kur bëhet fjalë për interesa të këtij pushteti komunal, punët dhe shërbimet në shumë projekte po kryhen pa procedura të tenderimit dhe pa u nënshkruar kontratat me operatorët, me të cilët po bëjnë biznes me paranë publike, duke shpenzuar dhe keqpërdorur buxhetin komunal edhe ashtu të varfër që ka sot Gjilani”, ka thënë Rashiti në emër të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan.
Sipas tij, edhe në këtë projekt, qeverisja komunale është treguar e papërgjegjshme ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht po shkel përsëri ligjin e prokurimit publik, duke angazhuar jashtëligjshëm kompani tjera të pa kontraktuara me procedurat e tenderimit, për të pastruar nga bora aty këtu disa rrugë të qytetit, ndërsa nëpër fshatra rrugët aktualisht janë mjaft të rrezikshme për qarkullim të automjeteve nga ngricat e mëdha që janë nëpër të gjitha rrugës e komunës së Gjilanit.
Përndryshe, Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan përbëhet nga shtatë anëtarë, e ku përveç Riad Rashtiit janë edhe Sahit Abazi, shef i Grupit, Fatbardha Selmani, Bujar Nevzati, Shukrije Rapuca, Izmi Zeka e Leonora Bunjaku. /2L ONLINE/