Kandidatja për Kryetare të Komunës së Gjilanit, Leonora Bunjaku, bashkë me disa nga aktivistët e PDK-së dhe kandidaten Suzana Selimin për listën në Kuvendin Komunal, i dërguan mirënjohje familjes dhe bashkëshortes atdhetare të heroit të mirënjohur Rexhep Malaj, zonjës së respektuar Hanife, dhe të bijës së tij, Fitores.
“PDK-ja është parti atdhetare, por ju tejkaloni çdo parti, pasi që heronjtë i takojnë krejt kombit dhe vlerave universale të njerëzimit për liri. Përkushtimi i heronjve për lirinë e Kosovës, duke sakrifikuar edhe jetën e tyre, duhet të regjistrohet në mbamendjen e çdo politikani dhe institucioni. Heronjtë që u vetëflijuan, lanë pas vetes së tyre, edhe shumë atdhetarë e patriotë. Gruaja më frymëzuese për çdo politikane në Gjilan, por edhe për mua, do të mbetet zonja e nderur Hanife, bashkëshortja e atdhetarit Rexhep Malaj dhe bija e tij, Fitorja. Sa herë takohemi me familjen Malaj, inspirohemi që të punojmë më shumë për komunën dhe shtetin tonë” – u shpreh kandidatja Bunjaku.
Ndërsa Suzana Selimi, kandidate për anëtare të Kuvendit Komunal në Gjilan, theksoi se, do të jetë zë i mbrojtjes së vlerave kombëtare dhe përkujdesjes së çdo monumenti, busti e lapidari të heronjve në Gjilan.