Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën plenare, ku pikë e rendit të ditës është formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së. Grupi parlamentar i PDK-së ndërkaq paralajmëroi se do të kërkoj së pari vazhdimin e seancës së 23 shtatorit, për të votuar raportin e Qeverisë për privatizimin PTK-së.
Sot është paraparë që pikë e rendit të ditës të jetë formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së, mirëpo kryetari i grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar që së pari të futet si pikë e rendit të ditës Raporti i Qeverisë së Republikës së Kosovës i proceduar më 27 maj nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës.
Grabovci ka kërkuar që së pari të merret vendimi për raportin e pastaj të vazhdohet me pikat tjera të rendit të ditës. Ai ka thënë se nuk janë kundër formimit të asnjë komisioni hetimor.
“Pikë e pa përmbyllur. I propozojmë seancës të merr qëndrim me u fut pikë e parë e rendit të ditës. PDK nuk është kundër formimit të komisionit, që shkon në interes të sqarimit po kërkojmë të respektohet rregullorja e Kuvendit dhe ligjet në fuqi, pikë e rendit të ditës, të shkoj Raporti i Qeverisë dhe kuvendi të merr një vendim”, ka thënë Grabovci.
Ndërsa Ismet Beqiri, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se nëse Kuvendi merr vendim që ta qes në pikën e parë të rendit të ditës, kërkesa e Grabovcit, LDK-ja do ta lëshoj sallën. Ai ka kërkuar që seanca të vazhdoj ashtu siç ka mbetur në gjysmë.
“Kërkojmë vazhdimin e seancës me pikat e rendit të ditës dhe në vazhdim të seancës nuk munden me kërkuar çfarë të donë, nëse është pika e PDK-së ne nuk qëndrojmë në sallë”, ka theksuar Beqiri.
Edhe, kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se nuk duhet të lejuar ridefinimi i përcaktimit të rendit të ditës. Ai ka thënë se është e domosdoshme që së pari të krijohet komisioni hetimor.
“Është e domosdoshme të krijohet komisioni hetimor sepse do ta hetoj tërë procesin e shitjes së PTK-së. Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë në këtë proces. Pa u votuar komisioni i domosdoshëm që duhet t’i paraprij çfarëdo vendimi që është marrë, nuk duhet të kalojnë në pikën tjetër”, ka shtuar Ymeri.
Edhe Ardian Gjini, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka shpreh keqardhje që situata po mbetet e njëjtë edhe kësaj here. Ai mendon se dy pikat e propozuara duhet të votohen. Në seancë është paraparë edhe shqyrtimi i disa Projektligjeve./rtklive.com/