(2L ONLINE) – Në vazhdën e kritikave që vijnë nga adresa e PDK-së, subjekt ky opozitar, drejtuar institucioneve që po udhëhiqen nga LDK me partnerët e saj, vijnë edhe ato që kanë të bëjnë me sferën e arsimit, e të shëndetësisë, përkatësisht të sigurimin të shërbimeve elementare për qytetarët e Gjilanit, pasi siç thonë përfaqësuesit e PDK-së, qeverisja komunale është plotësisht jashtë funksionalitetit, përveç dokrrave të tyre që dalin nëpër media, kinse janë të angazhuar dhe në nivel të kryerjes së detyrës dhe përgjegjësisë që kanë.
Shih për këtë, PDK, Dega në Gjilan, bënë të ditur se shprehë gatishmërinë e saj, se nga java e ardhshme të fillojë disa aktivitete të domosdoshme, duke ndihmuar QKMF-në me furnizim të disa llojeve të barnave esenciale, sigurimin e transportit për nxënësit që udhëtojnë si dhe të dërgojnë për analiza, mostrat e ujit të pijshëm që nxënësit e konsumojnë nëpër shkollat e Gjilanit, kryesisht në fshatra.
Rashiti anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së tha se fillimisht do të ndërmarrim hapa konkret, duke ndihmuar QKMF-në me furnizim të disa llojeve të barnave esenciale, për t’i shërbyer pacientët me raste sociale edhe pse ky është obligim i komunës dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Dhe hapi i dytë do të jetë, që nxënësve të cilëve komuna e Gjilanit ua ka ndaluar pagesën e transportit për udhëtim në shkollë, do t’ua sigurojnë transportin në këtë kohë dimri dhe krize.
“Për të gjitha këto aktivitete, në ditët në vijim do të informohen QMF-të dhe të gjithë nxënësit e fshatrave për mundësinë e udhëtimit falas për në shkollat e tyre të Gjilanit”, thotë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, hapi i tretë do të jetë angazhimi i tyre si Këshilltar Komunal, që të dërgojnë për analiza mostrat e ujit të pijshëm që nxënësit e konsumojnë nëpër shkollat e Gjilanit, kryesisht në fshatra, sepse, siç thotë ai, as këtë komuna e Gjilanit nuk e ka bërë pas vërshimeve të javës së kaluar.
“Realizimi i këtyre aktiviteteve tona, ka dy qëllime të cilat besojmë se do të arrihen, njëra ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve elementare të disa familjeve dhe nxënësve dhe tjetra ka të bëjë me vetëdijesimin e qeverisjes komunale, se ajo duhet të jetë në shërbim të vërtet të qytetarëve dhe jo të vazhdojë më vizita turistike lokale, rajonale dhe evropiane duke i promovuar ato nëpër media, të prezantuara si të arritura të komunës”, thotë Riad Rashiti anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së /2L ONLINE/