Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, është duke bërë plane që me anë të një marrëveshjeje të nënshkruar mes liderëve të partive politike, të caktohet data e shpërbërjes së Parlamentit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mocioni për shpërbërjen e parlamentit është njëra nga mundësitë kushtetuese për t’i përshpejtuar zgjedhjet. Ky opsion në fakt po del të jetë edhe më i pranueshëm për dy partitë e mëdha, PDK e LDK, përkundrejt AAK-së e cila po kërkon shkarkimin e Qeverisë.
Gazeta Tribuna të hënën ka raportuar se kryeministri Thaçi në cilësinë e kreut të PDK, këtë javë planifikon të organizojë një tryezë të përbashkët me partitë politike, ku nga ky takim mund edhe të merret vendimi përfundimtar për mënyrën se si dhe kur Kosova mund t’i mbajë zgjedhjet parlamentare. Krahas takimit, PDK si partia më e madhe në vend, ka marrë përsipër që të hartojë edhe një draft-dokument me disa pika ku palët, në këtë rast partitë, mund të pajtoheshin.
Edhe pse askush nga zyrtarët e lartë të kësaj partie nuk ka dashur të flasë publikisht për këtë çështje, burime të lidhura me këto zhvillime i kanë thënë gazetës së një draft-marrëveshje është duke u hartuar dhe ajo do t’i prezantohet të gjitha partive politike në takimin e përbashkët. (Tribuna)