Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, ka dal me një komunikatë përmes të cilës ka shpërfaqur, siç thuhet, qëndrimin profesional dhe politik të PDK-së, rreth seancës së fundit të Kuvendit Komunal, të muajit janar 2024, për disa çështje me rëndësi të veçantë për komunitetin dhe qytetin.
PDK, përmes kësaj komunikate ka kritikuar ashpër të parin e komunës për keqqeverisje, por edhe për shkelje ligji.
Ja komunikata e plotë:
Të nderuar qytetarë, në vijim të këtij teksti mund ta lexoni qëndrimin profesional dhe politik të PDK-së, rreth seancës së fundit të Kuvendit Komunal të muajit janar 2024, për disa çështje me rëndësi të veçantë për komunitetin dhe qytetin tonë!
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të janarit, kishte shumë pyetje për kryetarin e komunës, për shumë çështje dhe shumë shqetësime, por përgjigjet e të parit të Komunës sonë ishin aq jo korrekte e jo profesionale, saqë krijohej përshtypja se po përgjigjej një militant i një partie politike, e që s’ka fare njohuri për qeverisje lokale.
Kur Kryetari z. Hyseni u pyet se ku mbeti PZHK (Plani Zhvillimor Komunal) dhe kur do ta ketë komuna HARTËN ZONALE, ai u përgjigj se së shpejti do ta kemi në kuvend komunal për aprovim… Por, me gjasë ka harruar që këtë përgjigje e kemi dëgjuar vazhdimisht edhe gjatë dy viteve të kaluara.
Ju e shfuqizuat për ta risjellur në kuvend për një kohë të shkurtër, mbase brenda dy-tre muajve vijues. E kjo nuk ndodhi as gjatë vitit 2022 e as gjatë vitit 2023.
Në pyetjen se kur do ta kemi hartën zonale, nuk ka përgjigje fare.
Edhe këtu ju rikujtojmë se zotimet tuaja kryetar, respektivisht vartësve tuaj ishin se sipas planit të punës deri në fund të vitit 2023, komuna e Gjilanit do ta ketë edhe Hartën Zonale (kjo ishte fyerje për profesionistët e kësaj fushe).
Kryetar, ktheju mendjes dhe shiko sesa jo profesional jeni.
Tani ju rikujtojmë se PZHK-në po e mbani aq të mbyllur dhe jo transparente sa krijohet përshtypja se e keni ndryshuar në tërësi!
I nderuar kryetar, si parti serioze që jemi, ju sygjerojmë që urgjentisht të organizoni disa aktivitete dhe të prezantoni PZHK-në sipas një plani dinamik, para të gjithë atyre që me relevancë trajtojnë këtë temë, dhe mund të japin kontributin e duhur.
Stagnimi me PZHK-në do të sjellë edhe pasoja tjera tek HARTA ZONALE, dhe duke pasur parasysh edhe procedurat ligjore, ju vetëm keni bllokuar qytetarët, dhe ky mandat i juaji do ta lë komunën tonë pa Hartë Zonale. Kurse, në terren kemi zhvillime kaotike, por për këtë ditëve në vijim do të ua pasqyrojmë një nga një.
Në pyetjen e radhës në kuvend për ZONËN EKONOMIKE, ju përgjigjeni “ ZONA EKONOMIKE është e lidhur me PZHK-në dhe se pa aprovim të PZHK-së nuk mund të merret licenca”!
Tani na thuaj kryetar, cila është e vërteta e kësaj: Nuk e keni ditur këtë apo ndoshta duke e ditur se zona ekonomike për ju ka qenë vetëm premtim elektoral, dhe se do të dështoni edhe në këtë premtim, prandaj edhe e keni bllokuar PZHK-në.
Të nderuar qytetarë, rikujtojmë që në kuvend gjithashtu u ngrit edhe shqetësimi se çfarë po ndodh me stadiumin e qytetit dhe anulimin e tenderit?
Na tregoni se a ndjeheni keq dhe në siklet edhe për këtë dështim, i nderuar z. Hyseni, sepse po të bazoheshim në premtimet tuaja, i gjithë kampionati do të zhvillohej në stadiumin e qytetit.
Nuk mund të justifikoheni, sepse për të gjitha zhvillimet keni qenë në dijeni edhe para dy vitesh.
Por, mos harroni se pasojat janë të mëdha. Ju preferojmë që të dëgjoni edhe njëherë veten se çfarë përgjigje keni dhënë në kuvend për këtë pyetje, dhe do të bindeni se përgjigjja ishte skandaloze.
Rikujtojmë se interesante ishte një përgjigje e juaja, kur u pyetët për dështimin e mbikëqyrjes, siç ishte rasti i rrugës Gjilan-Ferizaj. Në këtë rast arritët ta gjeni forcën dhe ta kritikoni se aty ka dështuar niveli qendror, respektivisht mbikëqyrja, por mos harroni se së shpejti do të ballafaqoheni edhe me dështimet e juaja të projekteve të realizuara, dhe ju paralajmërojmë se përgjigjen nuk mund ta bartni tek mbikëqyrjet, por duhet ta merrni përgjegjësinë mbi vete, sepse ju më së miri e dini se kënd dhe si po i caktoni personat përgjegjës.
Madje edhe pas dy vitesh, ju nuk keni zhvilluar procedura të tenderimit për këtë fushë. E si rrjedhojë dështimet janë të pashmangshme.
Kishte edhe pyetje dhe përgjigje nga ana juaj për realizim të disa projekteve, e që për të gjithë neve janë të njohura se këto janë vetëm manipulime dhe asgjë më tepër. Ne ju rekomandojmë të shikoni, se këto vizatime-projekte a i kanë zbatuar procedurat e duhura dhe se a janë në harmoni me Planet Rregulluese.
Jeni duke shkelur ligjet!
Si subjekt politik, ditëve në vijim do të mundohemi të japim kontribut, që të mos gaboni në disa fusha, dhe në kuptim pozitiv si dhe në interes të qytetarëve, ne do të ngrisim shqetësimet tona, për të gjitha drejtoritë veç e veç, duke përfshirë edhe çdo sektor përkatës.
Mbesim me shpresë që nuk do t’i viktimizosh drejtorët (siç ndodhi me ish-drejtoreshën e arsimit), por fillimisht do ta merrni përgjegjësinë mbi vete, e pastaj të merrni masa tjera.