(2L ONLINE) – Papërgjegjësia, mospuna dhe dështimi total i qeverisjes komunale në Gjilan është arsyeja e vetme e mos përfundimit të projektit të varrezave të dëshmorëve. Sqarimi i komunës se projekti i varrezave të dëshmorëve është nën hetime dhe se për këtë arsye nuk ka mundur të përfundohet, është vetëm edhe një mashtrim i radhës, për të krijuar huti tek qytetarët e Gjilanit, thuhet në një reagim të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan.
Sipas këtij Grupi të Këshilltarëve Komunal të PDK-së, që përbëhet nga shtatë anëtar: Sahit Abazi (Shef i Grupit), Riad Rashiti, Shukrije Rapuca , Bujar Nevzati, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku dhe Fatbardha Selmani, ky projekt i rëndësishëm ka filluar të realizohet tek 10 vite pas luftës, vetëm pas ardhjes së PDK-së në qeverisjen komunale të Gjilanit dhe ka përfunduar faza e I-rë sipas projektit, ndërsa pjesa tjetër, faza e II-të ka mbetur i papërfunduar vetëm për arsye të mungesës së mbështetjes financiare nga ministria.
“Kryetari i komunës Lutfi Haziri në vazhdimësi po mashtron qytetarin e Gjilanit duke krijuar insinuata të ndryshme me qëllim të mbulesës së dështimeve totale të qeverisjes së tij me institucionet komunale. Ai edhe sot vazhdon të manipulojë opinionin për këtë projekt, i cili thotë se ky projekt do të përfundojë gjatë kësaj vere, duket sikurse ky kryetar punon edhe në institucionin e prokurorisë, sepse në duart e tij na qenkan këto hetime për këtë projekt.
Edhe pse ne dimë mirë që Lutfi Haziri ka një “bashkëpunim” të madh me prokurorinë themelore, por vetëm në aspektin e realizimit të disa interesave të tij dhe anasjelltas ndaj individëve të caktuar, në mënyrë që të heshtin hetimet e nisura ndaj tij, nga prokuroria themelore në Gjilan”, thuhet tutje në këtë reagim.
Projekti i varrezave të dëshmorëve, faza e II-të nuk po finalizohet nga qeverisja e Lutfi Hazirit, për arsye të mos seriozitetit dhe mos angazhimit të institucioneve komunale, sepse asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri për punë të mirëfilltë. Ka edhe shumë projekte të tjera që janë nisur nga qeverisja e LDK-së, që nga viteve 2007 dhe që ende ato sot nuk kanë përfunduar (si sahat kulla…).
“Ne si PDK, i kemi bërë thirrje Lutfi Hazirit që të punojë për komunën dhe qytetarin e Gjilanit dhe le të merret sa më pak me Prishtinën, vizitat turistike dhe me partinë e tij. Andaj edhe tani i bëjmë thirrje që ti kthehet qeverisjes me institucionet e komunës së Gjilanit, ose le ta lerë Gjilanin dhe të bëhet zëvendës i Ministrit të Punëve të Jashtme, se edhe ashtu ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me liderin e pakontestueshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së që përbëhet nga anëtarët: Sahit Abazi, Riad Rashiti, Shukrije Rapuca , Bujar Nevzati, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku dhe Fatbardha Selmani. /2L ONLINE/