(2L ONLINE) – Leonora Bunjaku, këshilltare komunale e PDK-së, njëherësh anëtare e Komitetit të Arsimit ka thënë se PDK-ja si parti opozitare është e shqetësuar me shumë gjëra që po ndodhin në arsimin gjilanas dhe në këtë drejtim kanë fajësuar pushtetin aktual për këtë.
Bunjaku tha se veç po hyjmë në muajin nëntor dhe shumë shkolla nuk e kanë zgjidhur çështje e ngrohjes dhe për rrjedhojë kemi ndërprerje të mësimit ose shkurtim të orarit. Ajo tha se pushteti është dashtë së paku deri më 15 tetor të sigurojë lëndët djegëse për shkollat e komunës, por këtë nuk e ka bërë dhe tani nxënësit por edhe mësimdhënësi po mërdhijnë.
“Kështu po rrezikohet shëndeti i nxënësve dhe i mësimdhënësve”, ka thënë Bunjaku, që bashkë edhe me kolegë të tjerë të partisë që i takojnë Grupit të Këshilltarëve, si Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani e Riad Rashiti,i kanë paraqitur këto shqetësime në një konferencë për gazetarë. Madje Bunjaku e Nevzati i kanë prezantuar para gazetarëve edhe disa fotografi ku shihen nxënësit e një shkolle (Gjimnazi Zenel Hajdini), brenda klasës të mbështjellë me qebe.
Përndryshe, përfaqësues të PDK-së kanë kërkuar nga përgjegjësitë të bëjnë sa më parë zgjidhje, ndonëse u treguan skeptik se as të hënën nuk do të zgjidhet kjo çështje dhe do të vazhdojë humbja e orëve mësimore, ose shkurtimi i tyre, me një fjalë do të vazhdojë ky pushtet të i mërdhijë nxënësit e mësimdhënësit.
Po ashtu, Leonora Bunjaku e PDK-së ka thënë se ka edhe plotë telashe tjera që e përcjellin arsimin gjilanas dhe në këtë drejtim përmendi mungesën e përgatitjeve të shkollave në aspektin tekniko higjienik. Në këtë drejtim ajo përmendi se ka plotë shkolla ku uji i pijshëm nuk është i pijshëm.
Po ashtu ajo tha se janë shkelur kriteret dhe kemi prapë klasë të stërngarkuara me nxënës, derisa për ekskursione tha se ato nuk duhet stopuar por duhet organizuar si duhet ndërsa fajësoi pushtetin edhe për qasje ne gabuar ndaj shkollës së bujqësisë ku klasat po shuhen dhe nëse nuk ndërmerren masa mund të mos kemi fare klasë e kjo është katastrofave kur dihet se Gjilanit pikërisht një shkollë e tillë i duhet.
Edhe këshilltari tjetër Bujar Nevzati ka folur me tone kritike sidomos me rastin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave ku sipas tij ka pas plot parregullsi, e që sipas tij, për gati gjysmën e tyre, përfaqësuesi i ministrisë nuk e ka hedhur firmën e tij.
Nevzati i ka bërë apel prokurorisë të hetojë në këtë drejtim, ta kontrollojë dokumentacion e tillë sepse ka punë për të, derisa fajësoi këtë pushtet që po bënë që arsimi jo që nuk po ecë para, por ajo po kthehet si para vitit 2006, kur edhe atëherë pushtetin ne Gjilan e kishte LDK, dhe gjendja e arsimit ishte e rëndë. /2L ONLINE/