(2LONLINE) – Dy këshilltarët e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, Sahit Abazi (Shef i Grupit) dhe Riad Rashiti, përmes një konference me gazetarë, kanë kritikuar pozitën (LDK), për mos funksionim të mirë të kuvendit por edhe të qeverisjes komunale.
Riad Rashiti ka thënë se Grupi i këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal në Gjilan e vlerëson se funksionimi i institucionit më të rëndësishëm në komunë ka dalë jashtë binarëve të saj, bashkë me kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin.
Riad Rashiti
Rashiti ka thënë se në Kuvendin Komunal të Gjilanit nuk ka nivel të udhëheqjes së seancave nga kryesuesja e kuvendit, duke lejuar që punimet në seanca ti shndërroj në cirke humoristike, ku shfaqjen e bëjnë disa nga këshilltarët komunal të LDK-së, të cilët asgjë nuk i ofrojnë këtij kuvendi pos tregimeve dhe meseleve të cilat paraprakisht i postojnë në facebook dhe vijnë pastaj në séance.
Sipas tij, kryesuesja e Kuvendit Komunal në dy seancat e fundit na ka detyruar të lëshojmë seancat e Kuvendit, sepse nuk ka respektuar statutin e komunës dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke mos na dhënë fjalën asnjëherë disave nga këshilltarët e PDK-së, na u janë bërë fyerje dhe ofendime të vazhdueshme me këto sjellje arrogante.
“Edhe dje në seancë jemi fyer rëndë nga dy këshilltarët e LDK-së Avdyl Aliu i cili në vazhdimësi provokon me fjalimet e tij ofenduese si dhe nga Imet Rrahmani i cili duke përdorur fjalë banale na fyen shumë rëndë neve por edhe vet institucionin e Kuvendit Komunal, harron se në kuvend ka gra, vajza dhe motra te dikujt. Ku edhe pas reagimeve të të gjitha grupeve në Kuvend VV, PDK, LDK, të cilat kërkuan tërheqjen e fjalëve të doktor Imet Rrahmanit, ai duke u munduar të kërkoj falje ai vazhdon edhe më tutje me fjalorin e tij të turpshëm”, ka thënë Rashiti.
Sahit Abazi
Ndërsa, Sahit Abazi më tepër është marrë me kryetarin e komunës Lutfi Hazirin dhe me qeverisje komunale duke thënë se kryetari Haziri edhe pse është i obliguar të merr pjesë në punimet e Kuvendit Komunal kur ka në rend të punës çështje të rëndësishme sikurse raporti financiar për tremujorin e pare të vitit 2014, ai tarahitet nëpër qytet dhe qendrat tregtare të Gjilanit dhe për 7 orë sa ka zgjatur kjo séance nuk ka mundur të gjejë kohë aspak për të marr pjesë në këtë séance.
Por, sipas Abazit, kjo nuk është hera e pare e sjelljes së kryetarit të komunës në këtë formë, sepse edhe tri seancat e tjera, ai menjëherë pas fjalimeve të tija në seanca, ik dhe i lëshon seancat për të mos u kthyer më, për tu ballafaquar me pyetjet e ngritura nga këshilltarët komunal sipas rregullores së punës së Kuvendit.
“Siç duket kryetari Haziri është i lodhur nga “kontributi” i madh që ka dhënë nga niveli qendror, ka ardhur në nivelin lokal për tu relaksuar pak, duke mos e ditur që në komunë ka shumë më shumë punë dhe përgjegjësi”, ka thënë Abazi.
Sipas itj, pas katër muaj të kësaj qeverisje, Gjilani ka filluar të kthehet mbrapa me zhvillime sikurse në vitet 2005/06, me politizimin e Kuvendit Komunal dhe të gjitha institucioneve tjera, me shkelje ligjore dhe konflikte të interesit, me keq qeverisje, nuk ka investime, ka probleme në arsim, ka kërcënime dhe dhunë nëpër shkolla, ka largime në baza partiake dhe të profesionistëve, ka shumë më pak inkasim të të hyrave vetanake, me rritje të shpenzimeve edhe pse thirren për zvogëlim në disa kategori, por në përgjithësi kanë rritje të tyre.
“Kjo qeverisje lokale në mungesë të programit të saj qeverisës, në mungesë të vizionit dhe të dijes, po vazhdon ende me fushatë që nga zgjedhjet lokale, duke u marrë vetëm me të kaluarën dhe me shpifje e gënjeshtra të shumta, që i bëjnë për të manipuluar prap publikun dhe qytetarin e Gjilanit. Ne si grup i këshilltarëve komunal të PDK-së edhe në seancë të Kuvendit kemi bërë thirrje por edhe tani i bëjmë thirrje publike kryetarit të komunës që të lë fushatën e tij më, të mos e politizoj punën e Kuvendit Komunal, të respektojë institucionin e Kuvendit, të respektojë ligjet dhe rregulloret e punës, të largojë kërcënimet dhe dhunën nga shkollat, të rrisë efikasitetin në inkasim për të hyrat vetanake. Sepse qytetarëve të Gjilanit u intereson të punohet në projekte të ndryshme në interes të tyre dhe jo të flitet në interes të tyre për fushata dhe parafushata zgjedhore”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, për këtë periudhë të qeverisjes bie në sy organizimet tejet anemike edhe për dëshmorët dhe heronjtë e kombit. U organizuan zbehtë manifestimet për Agim Ramadanin, Betejën e Zhegocit dhe mbrëmë Akademia për Dëshmorët edhe pse ishte vit jubilar i 15-ti. /2lonline/