Partia e Drejtësisë (PD),dega në Gjilan kërkon nga Institucionet qendrore që Autostrada Gjilan-Prishtinë të jetë e gatshme për qarkullim këtë vit
Skender Berisha, kryetar i PD- së së Gjilanit thotë se gjilanasit dhe jo vetëm, edhe më tutje do të vazhdojnë të udhëtojnë në rrugët më të dëmtuara dhe më të rrezikshme në Kosovë.
“Sipas ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, Autostrada Gjilan-Prishtinë as këtë vit nuk do të përfundojë. E papranueshme dhe i papërgjegjshëm ky vendim. Qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe në përgjithësi Anamorava, u besuan premtimeve të qeverisë, që autostrada do të bëhet shpejt, duke i dhënë mbështetje me votë, por ky premtim për t’u mbajtur kërkon guxim, maturi dhe transparencë”, ka thënë Berisha, duke përcjellë reagimin e subjektit të tij.
Ai shtoi se Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan, e indinjuar me këtë ngecje të Qeverisë, kërkon që angazhimit rreth Autostradës t’i dilet në krye, të përshpejtojë punimet dhe ajo të përfundojë këtë vit.
“Arsyetimet janë të panevojshme, nuk mund të thuhet se rritja ekonomike është duke përcjellë zhvillimet në të gjitha sferat, e në anën tjetër të stopon rrugët që shtyjnë përpara po këto zhvillime. Autostrada duhet të përfundojë dhe nuk duhet të ketë diskrimim bazuar në teket e askujt”, ka thënë Berisha i PD-së.
Sipas këtij subjekti politik, Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu i kërkohet përkushtim maksimal që Autostrada Gjilan-Prishtinë të jetë prioritet i tij, por edhe i qeverisë së Kosovës, dhe kjo rrugë të përfundojë sa më parë. /2LONLINE/