(2L ONLINE) – Shqiptarët, që nga koha kur u pushtuan nga osmanët, treguan se nuk mund të duronin sundues në viset e tyre. Përpjekjet për të larguar zgjedhën osmane nga territoret arbërore-shqiptare nisën me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun (shek. XV), vazhduan me kryengritjet sporadike të shekujve XVI-XVII, për t`u shfaqur më konkrete në përpjekjet e pashallëqeve shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe gjysmës së parë të shek. XIX dhe për t`u ngritur në një shkallë më të avancuar në shekullin XIX, sidomos në epokën e Rilindjes Kombëtare me organizatat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Lidhjes Shqiptare të Pejës.
Në fazën e katërt të Rilindjes Kombëtare Shqiptare u shtuan dhe forcuan përpjekjet për arritjen e të drejtave kombëtare dhe formimin e një shteti autonom shqiptar. Lëvizjet kryengritëse të viteve 1908-1912, që shpërthyen si rrjedhojë e pakënaqësisë me regjimin absolutist të sulltan Abdyl Hamitit II dhe demagogjisë e reaksionit xhonturk ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, provuan këmbënguljen e shqiptarëve që konform rrethanave të brendshme dhe atyre të jashtme të ngritin nivelin e statusit të tyre kombëtar dhe me fuqi politiko-diplomatike të radhiten në grupin e popujve të përparuar të Ballkanit dhe Evropës.
Elita intelektuale shqiptare, së bashku me shtresa të tjera shoqërore si fuqi e përbashkët mendore, materiale dhe fizike, u bënë bartëse të projektit për një Shqipëri autonome ose të pavarur në suaza të Perandorisë Osmane. Drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare në krye me gjeneratën e dytë të Rilindësve si Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe shumë figura të tjera patriotike, zhvilluan përplasje të ashpra politike e diplomatike me pushtetin reaksionar xhonturk, gjë që detyroi shqiptarët progresist, shikuar edhe nga prizmi i një nevoje imediate, të bashkërendojnë forcat mendore, fizike e materiale drejt lëvizjeve të armatosura për të çliruar atdheun nga osmanët dhe për të formuar një shtet kombëtar shqiptar, i cili do të falimentonte projektet ekspansioniste të shteteve fqinje ballkanike në kurriz të viseve shqiptare dhe do t`i paraqiste një argument politik Fuqive të Mëdha përbrenda politikës dhe interesave të tyre ballkanike.
Përparimi i shqiptarëve në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, që detyroi Stambollin të pranonte me disa nuanca kërkesat ultimative të tyre, që rrjedhimisht dërgonin drejt një statusi autonom përbrenda Perandorisë Osmane, shtynë mbretëritë ballkanike të Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi që në tetor të vitit 1912 të largonin përfundimisht prezencën osmane në Gadishullin Ballkanik dhe territorin e pushtuar, që banohej në shumicë nga shqiptarët, ta ndanin në bazë të projektit të Aleancës Ballkanike.
Shpërthimi i Luftës Ballkanike i ngarkoi shqiptarët me një përgjegjësi historike për fatin e atdheut. Në njërën anë, edhe pse pothuajse të kapitulluar nga forca fizike, ekonomike dhe luftarake, ata u mobilizuan në mbrojtje të tokave të tyre nga vërshimi i ushtrive ballkanike dhe, në anën tjetër, reflektoi në nevojën imediate që përmes deklarimit publik të vullnetit të tyre t`i ndërgjegjësonin Fuqitë e Mëdha për ndalimin e politikave ekspansioniste që ndërtoheshin mbi copëtimin e atdheut të tyre.
foto: wikipedia
Derisa Fuqitë e Mëdha ishin të ndara në dy blloqe politiko-ushtarake, që përfaqësonin përplasje interesash në sfera ndërkontinentale, dhe përderisa po zhvillohej Lufta e Parë Ballkanike, e cila ngërthente agresionin ushtarak të shteteve fqinje drejt viseve shqiptare, forcat progresiste shqiptare u organizuan dhe në rrethana të tilla ndërkombëtare triumfuan idenë se zgjidhja më e duhur ishte shpallja e pavarësisë e të gjitha trojeve shqiptare.
Në këtë kontekst, ndër aktet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare të shek. XX, pa dyshim se është Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912.
Deklarata e Pavarësisë, në të cilën gjithë delegatët njëzëri vendosën që “Shqipëria… të bahet më vehte, e lirë e e mosvarme”, e jetësoi shtetin kombëtar shqiptar.
Akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë i kishte dhënë fund sundimit shumëshekullor të Perandorisë Osmane. Ismail Qemajli kishte thënë: “e vetmja rrugë shpëtimi është shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, se Austri dhe Italia e mbështetnin çështjen e drejtë të kombit shqiptar.”
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte produkt i koordinimit të faktorit shqiptar nga të gjitha viset e banuara me shqiptarë, përfshirë të gjitha vilajetet e kohës, si ai i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Në Kuvend Mbarëkombëtar të Vlorës, përmes delegatëve të tyre, u përfaqësua dhe deklarua vullneti i shqiptarëve për Shqipërinë e lirë dhe të bashkuar në territorin e saj etnik dhe historik. Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u konstatua si e drejtë e pacenueshme e popullit shqiptar, i cili përfaqësonte vlera konkrete dhe të veçanta kulturo-historike nga popujt fqinjë. Pra, ky akt nuk u realizua në mënyrë aksidentale, por kishte një lidhje organike, e cila u konkretizua në programin e Rilindjes Kombëtare.
Krijimi i Shqipërisë së pavarur, në raport me formimin e shteteve ballkanike si Greqia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria etj., ishte i vonshëm si pasojë e faktorëve ekonomikë, shoqërorë, kulturorë e politikë, faktorit të brendshëm e atij të jashtëm, të cilët të ndërthurur qenë prezent dhe reflektuan në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mirëpo, një peshë të ndjeshme nga tërë masa e këtyre faktorëve, barte edhe faktori ndërkombëtar, duke cilësuar më elastik për interesat e shqiptarëve qëndrimin e Perandorisë Austro-Hungareze dhe Italisë, si dy fuqi që ishin të orientuara dhe anonin drejt një shteti shqiptar në Gadishullin Ballkanik.
Me vendimet e padrejta dhe kufizimin territorial që i bëri Shqipërisë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër i ricopëtoi tokat shqiptare, për të mos përfunduar edhe pas një shekulli gjakun e derdhur të shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar dhe zgjidhjen definitive të çështjes shqiptare në Gadishullin Ballkanik.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” Dega në Gjilan