Lajmi për vdekjen e ish ministrit Kinkel, çuditërisht më gjeti rrugës për Bonn!
Pikërisht, atje ku gjatë viteve të 92- 98-ta, e kemi takuar shumë herë. Kjo periudhë ishte edhe periudha më e rëndësishme e afirmimit të idesë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Klaus Kinkel ishte një politikan i zoti, pasardhës i diplomatit të shquar Hans – Dietrich Genscher-it. Ai i qëndroj gjithmonë në përkrahje popullit shqiptarë në përgjithësi dhe atij të Kosovës në veçanti.
Si përkrahës i filozofisë së Presidentit Rugova, ka treguar një mirëkuptim të veçantë ndaj kërkesës së shqiptarëve për vetëvendosje. Ai e priti shumë herë Presidentin Rugova në mënyrë protokollare dhe e ngriti figurën e tij në nivelin shtetëror.
Me Klaus Kinkel, kam shumë kujtime të mira nga takimet që kemi pasur bashkë me Presidentin Rugova dhe shoqëruesit e tij.
Një kujtim i veçantë mbetet edhe rasti kur ja dhurova librin e mikut tim të dashur, Ali Podrimës ,, Das Lächeln im Käfig¨ (Buzëqeshja në Kafaz) të cilin më premtoj se do e lexoj të nesërmen në aeroplan gjatë një udhëtimi zyrtarë. Me tu kthyer nga Uashingtoni, më lajmëroj se libri, me poezi i kishte pëlqyer shumë dhe më dërgoi një letër drejtuar të ndjerit tashmë Ali Podrimja.
Shpresoj se populli i Kosovës do ta kujtojë përher, ish ministrin Kinkel si dhe të gjithë ata të cilët na u gjetën pranë në ditët e afirmimit të idesë së lirisë e pavarësisë, njësoj siç na u gjetën pranë edhe një klasë tjetër politike në ditët e luftës.
Secila gjeneratë politike në Gjermani nga koha e Helmut Kohl-it dhe Hans- Dietrich Genscher-it deri te kancelarja Merkel do të ketë respektin dhe kujtimin e shqiptarëve, duke ndërtuar edhe më fuqishëm miqësinë mes dy popujve më të vjetër në Evropë!
Hafiz Gagica
05.02.2019
Stuttgart- Bonn