Kampioni në fuqi Kf.Drita dje shkëputi bashkëpunimin me portierin nga Shqipëria, Edvan Bakaj, ndërsa sot konfirmuan se as mbrojtësi Viktor Kuka nuk do të jetë pjesë e bardhë e kaltërve.
Klubi i deritanishëm Drita ka arritur marrëveshje me Kf.Ferizaj dhe vet futbollistin që ai të huazohet në Ferizaj për gjashtë muajt e ardhshëm.
Kjo u bë me arsyetimin se Kuka nuk pati hapësirë për lojë këtë sezon, andaj kjo lëvizje është vlerësuar si e nevojshme për të dy palët, sidomos për lojtarin që të ketë më shumë minutazhë loje.
Kujtojmë se edhe ish-gardiani i portës së Dritës, Edvan Bakaj, që erdhi nga Liria e Prizrenit, nuk u aktivizua gjatë në lojë. E shkak për këtë sipas zyrtarëve të klubit është mospërshtatja me klubin që rezultoi me ndërprerje të kontratës.
Aktualisht, kampionati i Kosovës në futboll është në pushim dimëror për të vazhduar më pas me vazhdimin e garave në sezonën pranverore. Kf.Drita gjendet në pozitën e gjashtë me 23 pikë. /Elife Sherifi/