Deri vitin e kaluar kjo shkollë punonte në katër ndërrime me kohëzgjatje të orës mësimore 30 minuta, por me ndërtimin e objektit shkollor në lagjen “Zabeli i Sahit Agës” mësimi zhvillohej në tri ndërrime. Tani mësimi zhvillohet në dy ndërrime me orën që zgjatë 45 minuta.
Drejtori i kësaj shkolle, Hetem Kosumi deklaroi për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se që në ditën e parë me dy ndërrime vërehet një përkushtim dhe angazhim i mësimdhënësve si dhe një disiplinë e mirë e nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor. Më tutje ai shtoi se kushtet që ofron ky aneks janë të standardeve evropiane.
Kosumi falënderon Drejtorinë Komunale të Arsimit(DKA), kryetarin e komunës dhe USAID-in për investimet e bëra në këtë objekt mësimor.
“Komuna ka investuar 140 mijë euro ndërsa USAID-i 90 mijë euro, kurse Ministria e Arsimit e ka pajisur me inventarë shkollor. E veçanta e këtij aneksi është shtegu për personat me aftësi të kufizuara (Handikep), shkallët emergjente dhe alarmi për rreziqet ndaj zjarrit”, ka thënë Kosumi.
Përndryshe, me objektin e ri dhe me zgjatjen e orës mësimore, padyshim mës ës shumti do të përfitojnë nxënësit, pasi tani më atyre u është mundësuar mësimdhënia sipas standardeve evropiane.
Ndryshe, drejtori i kësaj vatre arsimore ka thënë se projekt i ardhshëm i kësaj shkolle është rregullimi i sallës së edukatës fizike, me qëllim që nxënësve t’u krijohen kushte për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Kjo shkollë shquhet për sukseset e nxënësve nëpër garat e ndryshme sportive në komunë dhe më gjerë./A.Arifi/