Zhvillimi ekonomik, prodhimi vendor dhe punësimi janë prioritete tona në qeverisjen e ardhshme, të cilën padyshim se do ta udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje, kështu është shprehur të enjten pasdite, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt programi qeverisës i Vetëvendosjes do të bëhet publik dhe është tepër i kapshëm dhe praktik, sepse secila fushë përkatëse e këtij programi do ta prek direkt qytetarin.
Ymeri bashkë me kandidatët për deputetë nga Gjilani këto komente i ka bërë gjatë një takim me të rinjtë dhe gratë e Gjilanit, në kuadër të takimeve të shumta që Lëvizja Vetëvendosje po i mban në prag të Zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.
Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes, nga zyra për informim në Gjilan, interesimi për të marrë pjesë në këtë takim ishte mjaft i madh, sikurse edhe interesimi i këtyre ditëve i të rinjve për të aderuar në këtë subjekt.
Përndryshe, në këtë takim të rinjtë parashtruan një varg pyetjesh në cilat u përgjigjën kandidatët për deputet. Fokusimi ishte rritja mundësisë për punë, arsimi cilësor e fusha të tjera që i preokupojnë të rinjtë.
Më pas kryetari Visar Ymeri bashkë me gratë kandidate për deputete kanë bashkëbiseduar në një takim me gratë e Gjilanit. Ymeri theksoj rolin që ka gruaja në Lëvizjen Vetëvendosje, duke e njejtësuar me gjininë tjetër e duke përmendur edhe faktin se shumë nga udhëheqësit e qendrave të Lëvizjes janë gra, sikur edhe rasti i Besa Baftiut që udhëheq me qendrën në Gjilan.
“Nuk mund të ketë as liri, as mirëqenie e as zhvillim kur nuk ka barazi. E nuk mund të ketë barazi shoqërore kur nuk ka barazi gjinore. E nuk mund të flasim për barazi kur gruaja përjashtohet nga punësimi, nga prona, nga shkollimi. Shansat e barabarta, kur pabarazia është e thellë dhe e shtrirë në secilin kapilar, janë vetëm mirëmbajtje e pabarazisë. Duhet të ndërhyjmë për të siguruar rezultate të barabarta për të gjithë. E veçanërisht mes gjinish” ka thënë ndër tjerash Ymeri.
Pasi u paraqit Alternativa qeverisëse duke u fokusuar në rolin e gruas në vendimmarrje, pasoi një diskutim produktiv, ku gratë gjilanase bënë pyetje të shumta për kandidatet për deputete. Pyetjet më shumë ishin të fokusuara te punësimi, pjesë kjo që gjinia femërore vazhdon me qenë e diskriminuar.