Zgjedhje demokratike dhe sipas standardeve më të larta, u vlerësuan zgjedhjet e 6 tetorit 2019, nga ata që i organizuan dhe nga ata që i vëzhguan ato.
Shkruan: BURIM KORQA
Jo për çudi, disa ditë më vonë fillon maratona e numërimit, rinumërimit dhe rinumërimit të rinumërimit të votave…!
Pyetja që natyrshëm shtrohet në këtë rast: deklarimi për zgjedhje demokratike dhe me standarde, ishte mashtrim, ishte mbulesë apo deklaratë paushallë sa për të arsyetuar dështimin në kryerje të detyrës?
Jo për çudi, na doli që procesi nuk paska qenë as demokratik dhe as sipas standardeve më të larta. Na doli që komisionerët e paskan prishur procesin zgjedhor.
Komisionerët e gjithëpushtetshëm, po na dalin, njëkohësisht: votues, numërues, rinumërues, të gjithëpushtetshëm dhe të paprekshëm.
Votuesi e dha verdiktin, votë e cila u vodh nga komisionarët, gjithnjë sipas KQZ-së.
Votuesi e dha provimin, i cili u vë në diskutim nga komisionerët.
Votuesi e bëri ndryshimin, i cili po kontestohet nga komisionerët.
E kush dreqin janë këta “Komisionerë”, kush i zgjodhi, kush i akreditoi, kush iu dha të drejtën dhe fuqinë të korrigjojnë votat e sovranit, të dëmtojnë procesin dhe të shpërfillin shtetin?!
Hetime, arrestime dhe burgime për të gjithëpushtetshmit KOMISIONERË matrapazë, të përfshirë në këtë marifet.