Pak më shumë se një vit mësimdhënësit “lavdëroheshim” aq shumë, saqë nuk mund ta ngritnin kokën, por falë Covid-19, ne ngritëm kokën dhe po marrim frymë lirshëm. Po sikur mos të na vinte virusi, çfarë epiteti tjetër do të merrte mësuesi?! Jemi ofenduar me fjalorin më të pistë që ekziston edhe atë vetëm pse kërkonim pak mirëqenie më të mirë, normal për ditë të vështira, sikurse që jemi sot e një muaj, e jo për vizita a shëtitje, por ja që s’kuptonin.
Shkruan: Murat MUSTAFA
Është e çuditshme, që pikërisht këta të paditurit, këta ‘PISA’, dhe ata që nuk e meritojnë pagën, sot po konsiderohen heronj! Nga kush po konsiderohen heronj?! Pikërisht nga ata që kanë ofendua se mësimdhënësit nuk bëjnë punë hiç, dhe që marrin pagën pa meritë. Janë ofenduar vazhdimisht nga ata që nuk e dinë vlerën e mësuesit, sepse po ta dinin nuk do të ofendonin tash e 20 vite, ndërsa tash po lavdërohen pikërisht nga këta “analistë”!
Të nderuar dhe të respektuar qytetarë të Republikës së Kosovë, tashmë mësimi është duke u zhvilluar ( në shtete të zhvilluara kjo formë do të konsiderohej normale) veçse jo në shkolla, por nga shtëpitë e juaja dhe të mësimdhënësve. Këtë mësim që është duke u zhvilluar, po e mundësojnë pikërisht ata individ që kanë qëndru në shkollë vetëm 3 orë! Siç thoshit ju në komente! Janë pikërisht këta të “paditurit” që po mundohen me mish e me shpirt, që fëmijët tuaj mos të humbasin as edhe një orë të vetme të mësimit. Janë pikërisht këta ‘PISA’, që janë futur në borxhe për të blerë pajisje, vetëm për t’ju mundësuar zhvillimin e mësimit online fëmijëve tuaj. Këta që kanë qëndruar nga 3 orë, dhe të “paditur”, sot po e zhvillojnë procesin mësimor pa problem, këtë po e thonë edhe MASHT-i dhe DKA-të. Është çështje tjetër sa është angazhimi juaj me fëmijët tuaj në platformat e ndryshme që po punojnë mësimdhënësit.
Që fëmijët tuaj mos të humbin mësimet, MASHT-i dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, filluan përgatitjet për zhvillimin e mësimit në distance. Kësaj iniciative iu bashkëngjiten edhe mësimdhënësit, sepse e kemi obligim moral e jo siç po na thuhet institucional, për institucional sot lapsin ‘kimik’ (lexo: stilolapsin) veç e kisha ‘shtyp’, ngase edhe institucionet e kanë pasur obligim institucional me fillua zbatimin e ligjit të pagave. Për organizimin e mësimit online, patjetër që duhet lavdëruar DKA-në në Gjilan, e cila shumë shpejtë krijoi një platformë online, ku nxënësit filluan të udhëzohen për detyrat, ushtrimet dhe hapat që duhet ndjekur tash e tutje.
Mësimdhënësit diçka të jashtëzakonshme nuk janë duke bërë, kolegët tanë në vendet evropiane ka kohë që përdorin platforma për mësim online, madje edhe magjistrojnë në këtë formë.
Do të thosha pak më ndryshe – një mësimdhënie e mësimnxënie, por shumë më e vështirë në rrethanat që gjendemi, ku shumica e nxënësve nuk kanë qasje në platformat që jemi duke i përdorur, por edhe shumë mësimdhënës që nuk dinë nga cila anë kapet mausi (mouse). Këtë formë të mësimdhënies e kemi “filluar” para 10-të viteve, por ja që na u dashtë të ndodh në kohë të pakohë.
Këto ditë po shohim një punë jashtëzakonisht të madhe nga specialistë të shëndetësisë publike, e sidomos të Klinikës Infektive. Sikur mos të ishin këta, a thua çfarë do të ndodhte?! Sigurisht që do të na merrte pusi! Këta specialistë që po na udhëzojnë çdo minutë e çdo orë në këto ditë shumë të vështira për popullin tonë, e kanë pasur nga një mësues, ndoshta edhe prej atyre që kanë punuar vetëm 3 orë në shkollë. Me shekuj është thënë që: vlera e mësuesit nuk matet, pra nuk ka peshore me të cilën mund të matet profesioni i mësuesit. Mësuesit janë sikur qirinjtë, që janë të vegjël, por mjaftueshëm të japin dritë.
Mësuesi qëndron në shkollë tre orë, por vlera e produktit të tij është jashtëzakonisht e madhe. E tash paramendo një alamet analisti, që është i “shitur” tek politika jep vlerësime për mësuesit.
Të gjithë e provuat se çka do të thotë të jesh mësues?! Po e shihni sa e “lehtë” është të jesh mësues?! Tash fëmijët/nxënësit i keni nga 24 orë, a thua sa punë jeni duke bërë me ta?!
Lërini lavdrimet, sepse e dimë që nuk e keni nga zemra, edhe pse disa mësimdhënës sillen sikur s’ka ndodh asgjë, sepse jeni po ata që na keni ofendua tash e 20 vite. Por edhe ne jemi ata që kemi qenë, hiç më larg se dy muaj kur kërkuam implementimin e ligjit të pagave. Ndërsa ju menjëherë na u vërsulët: “Ia filluan këta me grevë e rritje të pagesë, po kërkojnë ngritje të pagës ata që s’din kurrgjo. Po këta s’dinë për veti e lëre me ta mësu ndokend”, dhe shumë e shumë etiketime të tjera, e që janë shumë më të rënda se këto që i ceka.
Nëse edhe në këto ditë nuk e keni kuptuar vlerën e mësuesit, më e mira kishte me qenë të heshtni e mos të flisni më për profesionin më fisnik, siç është mësimdhënia, e aq më pak të na ofendoni. Kjo është për të gjithë ata që nuk kanë konsideratë për mësimdhënësin!
Po, Po! Përnjëmend… mendohuni mirë!