Treguesit e nivelit të papunësisë në Kosovë po dëshmojnë vazhdimin e një situate ku të rinjtë janë peng të një sistemi politik i cili tani e 17 vite ka hezituar të merret seriozisht me edukimin dhe arsimin profesional.
Liridon R. Rama
Sipas anketës së fundit të ASK (Agjensionit Statistikor të Kosovës) për Fuqinë Punëtore në Kosovë për tre muajt e parë të vitit 2017, papunësia te të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 50.5% e cila në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dallon në vetëm 3%.
Faktorët ekonomik dhe politik janë përcaktuesit kryesor për zhvillimin e një vendi dhe në këtë kontekst qeveritë e pasluftës deri tani kanë ndjekur një rrugë e cila më shumë ka shtyrë të rinjtë Kosovar drejt largimit masiv sesa ofrimit të mundësive reale për zhvillim profesional.
Sipas një hulumtimi të UNDP, çdo vit në Kosovë futen në tregun e punës më shumë se 20,000 të rinj, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën sidomos duke i parë mundësitë e kufizuara të punësimit në sektorin publik dhe atë privat.
Papunësia dhe pasiviteti i përhapur, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë, bënë që një sasi e konsiderueshme e potencialit njerëzor të jetë e pashfrytëzuar, e keqpërdorur apo e nënshfrytëzuar, që konsiderohen deprivime njerëzore që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
Përderisa në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme individët e papunë rrezikojnë t’i humbin shkathtësitë dhe njohuritë e lidhura me punën, papunësia dhe pasiviteti afatgjatë ulë mirëqenien, rritë potencialin për krim, dhunë dhe trazirë sociale, si dhe gjithashtu lë njerëzit jashtë sistemeve të sigurisë sociale dhe mbrojtjes sociale duke rritur kështu rrezikun e cenueshmërisë.
Më e rëndësishmja, problemet me qasjen dhe cilësinë e arsimit, si dhe “shkëputjen” e sistemit arsimor të Kosovës nga trendët e fundit krijojnë një fuqi punëtore me shkathtësi të vjetruara dhe me kërkesë të ulët.
Po ashtu sipas Bankës Botërore për Zhvillim, në legjislacionin aktual të arsimit dhe punës nuk ka politika, rregullore apo praktika në fuqi për ofrimin e aranzhimeve fleksibile të punës, të cilat do të mundësonin angazhimin e studentëve dhe grave në punë.
Në këto pamundësi reale me të cilat përballen të rinjtë, shteti i Kosovës nëpërmjet mekanizmave për arsimin e ulët dhe të lartë kanë nevojë urgjente për rishqyrtim të programeve të arsimit.
Kësisoj që fillimisht të kemi analizë të problemit lidhur me cilësinë e arsimit (konsideruar që deri më tani, 7 muaj pas rezultateve të testit PISA, nuk ka pasur asnjë progres për evidentimin dhe trajtimin e problematikave), dhe po ashtu pastaj të vlerësohet se si të arrihet deri te mosngulfatja e tregut kosovar me të diplomuar të cilët pos diplomës që marrin, nuk përfaqësojnë asnjë vlerë tjetër e cila ata do t’i bënte konkurrues në tregun e “egër” ekzistues.