Të nderuar dashamir të librit, do t`i them pak fjalë për veprimtarinë e SH.B “Beqir Musliu” , me rastin e botimit të librit të njëqindtë.
Nga: Sinan SADIKU
Para pak ditëve Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” e botoi librin e saj të njëqindtë. Andaj për neve krijuesit dhe në përgjithësi për dashamirët e librit kjo është një arsye për ta ndier veten mirë, aq më tepër në një manifestim të tillë të organizuar për nderë të Ditës së Librit. Veprimtarinë botuese kjo shtëpi e nisi me librin poetik “Pikojnë heshtjet” të autorit Nexhat Rexha, botuar në shtator të vitit 2010, ndërsa libri i njëqindtë ka qëlluar të jetë vepra “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut nga autorë shqiptarë dhe të huaj (vëllimi i dytë ). Zgjedhjen e punimeve dhe përgatitjen për shtyp të kësaj vepre e ka bërë Dr. Labinot Berisha.
Në mesin e 100 librave të botuar nga Sh.B. “Beqir Musliu” i gjejmë shumicën e gjinive dhe të llojeve letrare, duke mos i përjashtuar as librat publicistik, shkencor etj. Pra janë botuar libra me poezi, me tregime, romane, libra nga fusha e kritikës letrare dhe e studimit të letërsisë, pastaj libra në të cilët është përmbledhur krijimtaria gojore etj. Librat janë të shkruar nga një numër i madh i autorëve që i përkasin një shtrirjeje të gjerë gjeografike, duke mos i lënë anash as thesaret e letërsisë botërore. Janë botuar edhe libra të shkrimtarëve të njohur në suaza ndërkombëtare, të shkrimtarëve që kanë bërë emra në nivel kombëtar, të atyre që janë të njohur në nivel të një regjioni më të gjerë e deri te librat e parë të shkrimtarëve të cilët posa e kanë filluar krijimtarinë…
Gëzon fakti që të gjithë librat e botuar nga fusha e letërsisë kanë vlera letrare, gjë kjo që e arsyeton botimin e tyre. Pra botuesi në fjalë ju ka përmbajt një kriteri estetik, e ka caktuar një kufi të cilin nuk e ka shkelë, përkundër kërkesave dhe joshjeve të shumta e të llojllojshme. Andaj ka ngjarë, jo në pak raste, që librat e ofruar nuk janë botuar për arsye se nuk i kanë përmbushë kërkesat estetike. Megjithatë autorët e librave të tillë nuk kanë heq shumë për t`i publikuar punimet e tyre, sepse janë gjet botues që nuk shikojnë asgjë tjetër përveç profitit. Tre libra të botuar nga botuesi në fjalë janë shpërblyer me çmimet më të larta që jepen në Kosovë, edhe pse realisht çmime kanë merituar edhe disa libra të tjerë. Nga Ministria për Kulturë Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës janë shpërblyer librat poetik: “Njëqind vjet të kërkoj” e autorit Skënder Berisha, libër i vitit 2013 dhe “Murale shpirti” e Sabiti Rrustemit , libër i vitit 2014. Në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, mbajtur më 11 maj 2013, librit “Në fytyrën e një gjethi” të autorit Sabit Rrustemi i është ndarë çmimi libri më i mirë i botuar midis dy mitingjeve.
Meritën kryesore për gjithçka që ka bërë Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” e ka editori i saj Sabit Rrustemi, dhe disa bashkëpunëtorë të tij të cilët i kanë qëndruar afër dhe e kanë mbështet. Veçmas ka kontribuuar shkrimtari Nexhat Rexha, pastaj Arsim Halili, Prof. Dr. Anton Nikë Berisha etj. Në afirmimin e botimeve të kësaj shtëpie botuese kanë dhënë kontribut një numër i madh i shkrimtarëve dhe gazetarëve në mesin e të cilëve po i përmendi: Prend Buzhalën, Fatmir Mingulin dhe Zejnepe Alilin – Rexhepi. Realisht kontributin e tyre e kanë dhënë, dikush më shumë e dikush më pak, edhe një numër bukur i madh i krijuesve duke ndihmuar si redaktorë, recensentë, lektorë, ose duke shkruar punime dhe duke ndihmuar me rastin e përurimit të librave. Kur jemi te përurimi i librave, vlen të theksohet se shumica e librave të botuar nga kjo shtëpi botuese janë përuruar dhe një aktivitet i tillë ka ndihmuar në popullarizimin e librit, duke e begatuar edhe jetën kulturore në përgjithësi, veçmas në Gjilan. Në këtë aspekt ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe disa moderatore të talentuara.
Nëse i marrim dhe i shikojmë librat e botuar nga botuesi për të cilin po flasim do të shohim se punët janë kryer me profesionalizëm dhe përkushtim, duke filluar nga redaktori, recensentët, realizuesit kompjuterik, nga ata që e kanë përgatit ballinën e deri te punët e kryera nga shtypshkronja.
Megjithatë përkundër gjithë këtyre aktiviteteve që janë zhvilluar në dobi të librit, përkundër botimit të gjithë këtyre librave, përkundër vlerës së pakontestueshme artistike që kanë librat e botuar, disa prej të cilëve madje hyjnë në rrethin e librave më të mirë të shkruar dhe të botuar në gjuhën shqipe, mbështetja e institucioneve shtetërore thuajse ka munguar. Po shpresoj që kështu të mos jetë edhe në të ardhmen, por të kthehet vëmendja e institucioneve kah libri dhe të ndihmohet botimi i tij.
Po e përmbylli këtë punim me urimin që të mos kalojnë shumë vite dhe të takohemi përsëri për ta festuar daljen në dritë të librit të dyqindtë, të botuar nga Sh.B. “Beqir Musliu”!