Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc, të mërkurën, kryetari Jonuz Musliu ka pritur në një takim pune zyrtarin e lartë të Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Drejtat e Njeriut, Kevin Furey.
Gjatë këtij takimi, sipas kumtesës së KKSH-së, u diskutua rreth gjendjes aktuale politike dhe të sigurisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Musliu njoftoi Furey për sfidat me të cilat po përballen shqiptaret sa i përket të drejtave të njeriut, me theks të veçant çështjen e teksteve shkollore për shkollat fillore, donacion nga Republika e Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës si nevojë e patjetërsueshme, pasur parasysh që nxënësit shqiptarë janë duke vijuar procesin edukativo-arsimor pa pasur tekstet shkollore.
Njëkohësisht, ngriti edhe çështjen e pasivizimit të vendbanimit nga stacionet policore në Bujanoc dhe Medvegjë si forma të presionit për asimilim të shqiptarëve dhe ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë, e që janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi.
Gjithashtu, i pari i Këshillit Kombëtar Shqiptar e njoftoi edhe me gjendjen në arsim, kulturë, informim dhe përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe se përfundimisht Serbia duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet për në Bashkimin Evropian, thuhet në kumtesën e KKSH-së, transmeton Titulli.com