Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit në Shqipëri, duke e takuar fillimisht homologun e tij shqiptar, Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushati.
Në një konferencë të përbashkët për media, Zëvendës-Kryeministri Pacolli, veç ri-konfirmimit të bashkëpunimit të fuqishëm në mes të dyja vendeve dhe bashkërendimit të të gjitha aktiviteteve në politikën e jashtme është zotuar për vazhdimin e hapjes së Misioneve të përbashkëta Diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
“Ne sot biseduam gjithashtu që sa më shpejtë të vazhdojmë me traditën e hapjes së misioneve të përbashkëta diplomatike në mënyrë që të rrisim efikasitetin, përgjegjësinë dhe të ulim shpenzimet”, ka thënë Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Bushati ka ri-konfirmuar mbështetjen e fuqishme dhe të pa ekuivokë të diplomacisë së shtetit shqiptar ndaj të gjitha proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ka përmendur edhe angazhimin e mëhershëm të Zëvendës-Kryeministrit Pacolli, sidomos në rastin e përpjekjeve diplomatike për anëtarësim në UNESCO, duke nënvizuar se Presidenti Pacolli ka bërë shpeshherë më shumë se diplomacitë e Tiranës dhe Prishtinës.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në cilësinë e Zëvendës-Kryeministrit të parë dhe Ministrit të Jashtëm ai pritet të takohet edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministrin, Edi Rama.
http://www.mfa-ks.net/?page=1,217,4435