(2LONLINE) – Ky ishte konstatimi i dalë në përmbylljen e modulit të parë të programit edukativ Akademia për Qeverisje Lokale të organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale me rastin e vizitës studimore në Republikën e Maqedonisë.
Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i këtij instituti duke analizuar procesin e decentralizimit në vendet e rajonit theksoi se procesi i reformës lokale në rastin e Bosnje e Hercegovinës i dalë nga marrëveshja e Dejtonit, ai i Kosovës i dalë nga pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari dhe ai i Maqedonisë e dalë nga marrëveshja e Ohrit janë të rrezikuara të dështojnë në rast se dhe më tutje vazhdon të mungoj përkrahja e Qeverisë Qendrore karshi asaj Lokale.
Tahiri përmendi tri parakushte që të ndodh decentralizimi: I pari i referohet shkallës së lartë të kapacitetit qendror të shtetit. Për shkak se zbatimi efektiv i decentralizimit kërkon koordinimin ndërmjet niveleve dhe kërkon më shumë rregullore për ta garantuar transparencën themelore, llogaridhënien dhe një shtet i dobët nuk mund të zbatojë decentralizimin në mënyrë të suksesshme.
Kërkesa e dytë është një shoqëri civile e zhvilluar mirë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për aspektin pjesëmarrës, por edhe për shkak se do të mund të ofronte burime shtesë për informim, komente si dhe kritika konstruktive për pushtetin lokal.
I treti është një projekt politik në të cilin një forcë e organizuar politike përkrah decentralizimin dhe siguron zbatimin e tij. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se qeverisja efektive lokale varet nga burimet e ekzistuese, të cilat janë adekuate dhe të qëndrueshme.
“Deri sa flasim për decentralizimin, komunat nuk kanë mjete për ushtrimin e funksioneve, kjo e bënë të vështirë punën në ofrimin e shërbimeve cilësore tek qytetarët, pra është domosdoshmëri të flasim për problemet dhe modelet e qeverisje lokale efektive.” theksoi Tahiri
Në kuadër të kësaj vizite studimore pjesëmarrësit patën rastin të takohen me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, z. Tahir Hani, Kryetaren e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, Kryetarin e Komunës së Bogovinës z. Hazbi Idrizi, Kryetarin e Komunës së Strugës, z. Ziadin Sela dhe Ekzekutivin e Komunës së Gostivarit.
Përmes këtyre takimeve pjesëmarrësit në program patën rastin të njihen po ashtu me raportet në mes ekzekutivit komunal dhe asambleve komunale, zbatimin e procesit të decentralizimit, funksionalitetin e komunave dhe ofrimin e shërbimeve nga ndërmarrjet komunale si dhe u trajtuan shumë tema që ndërlidhen me aspektet e qeverisje së mirë dhe bashkëpunimit ndër-komunal.
Në kuadër të programit janë 40 anëtarë, kryetarë dhe nënkryetarë, kryetarë të kuvendeve komunale, kurse pjesëmarrësit e tjerë janë nga niveli i drejtorëve dhe shefa të grupeve parlamentare. Ky grup i zyrtarëve vijnë nga komuant (Gjilan, Kamenicë, Shtërpcë, Podujevë Klinë, Prizren, dhe Graçanicë), në program përfshihen dhe pjesëmarrës që vijnë nga institucione qeveritare, mekanizma të pavarur dhe organizata të shoqërisë civile. /2LONLINE/