Organizata e Veteranëve të Luftës sot ka shënuar 10 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast në Preshevë ishte organizuar një manifestim ku përveç veteranëve të luftës e familjarëve të dëshmorëve morrin pjesë edhe figura të shumta nga jeta politike dhe publike e Luginës.
Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) ka shënuar të premten 10 vjetorin e themelimit të saj.
Në manifestimin e organizuar në Preshevë për të shënuar këtë ditë morën pjesë ish pjesëtarët e UÇPMB-së, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të subjekteve politike dhe të institucioneve lokale, si dhe personalitete tjera nga jeta politike dhe publike e Luginës.
Me rastin e hapjes së këtij përvjetori, kryetari i OVL-së në Preshevë Ramadan Ismaili para të pranishmëve tha se sot po shënojmë bashkërisht një periudhë historike të cilën e kemi kaluar.
“Kemi ndërtuar vlera kombëtare për të cilat u betuam se pas themelimit të kësaj organizate, sadopak, në këto kushte siç jemi tani si organizatë ti mbrojmë me vullnetin e qytetarëve, institucioneve, dhe kështu si popullatë, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të luftës, duke i mbrojtur kështu vlerat e luftës të cilat i kishim ndërtuar”, u shpreh Ramadan Ismaili, raporton TV Spektri, të cilës i referohet Titulli..
Edhe homologu i Ismailit, Edmond Isufi tha se gjatë këtyre 10 viteve sfidat e OVL-së në Bujanoc por edhe në përgjithësi në Luginë kanë qenë të mëdha.
“Sfidat, problemet na kanë përcjellë 10 vite me radhë. Ne jemi dëshmitar të kohës dhe e dimë se sa kemi pas probleme. Gjatë kësaj periudhe jemi mundu me qenë sa ma afër problemet që kanë pas, sidomos veteranët e luftës, një pjesë e të cilëve nuk janë në mesin tonë”, u shpreh kryetari i OVL-së për Bujanoc, Edmond Isufi.
Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, gjatë fjalës përshëndetëse vuri në pah numrin e zvogëluar të pjesëmarrësve në këtë përvjetor, që sipas tij deri te zvogëlimi i pjesëmarrësve ka ndikuar “politika hegjemoniste serbe” duke ngritë aktakuza të fabrikuara, duke i burgosë e duke i përndjekë këta ish pjesëtar të UÇPMB-së.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi theksoi se me mundësitë që kanë do të mbështesin OVL-në në Preshevë e Bujanoc, duke kërkuar që kjo ditë të përkujtohet për shumë mote.
Ndërsa ish shefi politik i UÇPMB-së, tani kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanoc, Jonuz Musliu, iu drejtua ish pjesëtarëve të UÇPMB-së tani veteran, se në kohën kur atdheu ishte në rrezik këta trima i dolën në ballë armikut.
“Dëshmorët , ata që i dhanë më tepër kësaj toke ata janë më lartë, derisa pjesa tjetër janë veteranët dhe invalidët e luftës që dëshmuan në kohën e duhur sakrificën e tyre për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, u shpreh Musliu.
Këtë përvjetor e përshëndeti edhe Sejdi Fejzulhahu, prindi i dëshmorit Ibrahim Fejzullahut, i cili nga dhembja që kishte në zemër për emigrimin e të rinjve nga Lugina dha disa këshilla.
“Që 100 vjet burrat që derdhën gjakun për këtë tokë e na për hir të dikujt me i marrë çantat e me shku nëpër ura e më hongër mish të gjarprit, siç kam pa vet atje, e duke e pas tokën e butë këtu. Hiqne këtë ves të keq siç po veprojnë disa të rinj të paedukuar, apo pa i tërheqë vërejtjen prindi. Kjo tokë është pagu me gjak dhe që 4 mije vjet që e shfrytëzojmë, dhe është e pakuptimtë për gjakun që është derdhë me ia kthy në këtë mënyrë”, tha plaku Fejzullahu, djali i të cilit ra dëshmorë në luftën e UÇPMB-së