Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit ku në rend dite është raporti i kryetarit të Komunës për periudhën, janar-qershor 2020, Nehat Osmani, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti opozitare, ka thënë se raporti duket me afat të skaduar, i pashpresë, formal dhe i kamufluar, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ja më tutje diskutimi i plotë i Osmanit për raportin në fjalë:
Duke qenë brenda kësaj logjike të këndvështrimeve tuaja mbi raportin e paraqitur dhe këndvështrimit të qytetarëve mbi cilësinë e jetesës që u keni ofruar, na imponohet një tjetër mbilogjikë kundërthënëse që kundërshtojnë njëra tjetrën.
Brenda logjikës suaj, ju mendoni se keni arritur të krijoni Stabilitet të Pushtetit të cilin në bashkëpunim me disa grupe servile partiake e shpërfaqni edhe në këtë raport, sepse keni minimalizuar vullnetin dhe nevojat reale të qytetarëve ndërkohë që keni maksimalizuar ambiciet për të kapur, uzurpuar e mbajtur pushtetin.
Ju mendoni se “Sa më të mjerë të tjerët, aq më të rëndësishëm Ju” dhe në këtë mënyrë keni arritur të krijoni një STANDARD.
Ju gjithashtu mendoni se “Sa më të varur qytetarët, aq më të fuqishëm Ju”, edhe këtu keni krijuar një tjetër STANDARD.
Por ka një STANDARD mbi të gjitha tjerat që e ka karakterizuar qeverisjen tuaj, jo vetëm këtë gjashtëmujor por përgjatë tërë mandatit tuaj, e ai është që ju i paraprini dhe shkaktoni parregullësitë në mënyrë që më pas të duket kinse ju po i zgjidhni ato, ju i zvarrisni punët e vogla në mënyrë që të duken kinse po bëni punë të mëdha.
Për këso lloj “zgjuarsish” tuaja perfide na kishte paralajmëruar qysh moti gjeniu, Albert Einsteini. Ai thoshte: “Nuk mund t’i zgjidhësh problemet përmes metodave dhe me njerëzit të cilët i ke përdor për t’i krijuar ato”.
T’i vendosim disa nga këto korelacione të cilat natyrisht nuk mund t’i gjesh brenda këtij raporti të kryetarit por natyrshëm i gjen në përditshmëritë e zymta të qytetarëve të komunës sonë, për fatet e të cilëve edhe ky raport i stilizuar do duhej të fliste:
Po, e vërtetë është ashtu siç thuhet në raport se ky gjashtëmujor ka qenë sfidues për institucionet komunale e më gjerë.
Por me pjesëmarrjen në ahengun ilegal nga ku filloi përhapja e virusit pandemik, kryetari i komunës duke rezistuar hapur vendosjen e masave parandaluese nga qeveria qendrore fillimisht, e më pas duke proklamuar papërgjegjshëm kumtin se “Gjilani e ka fituar luftën kundër Pandemisë”, natyrshëm nuk mund ta udhëheqte popullin suksesshëm drejt mposhtjes së kësaj sëmundje virale, përveç efektit medial e promovues.
Paria komunale që me asnjë veprim nuk ndihmuan bizneset e rrezikuara, me asgjë nuk parandaluan mbijetesën e shumë familjeve ndërmarrëse, lejuan shuarjen dhe mbylljen e veprimtarive të shumta, natyrshëm nuk mund të rimëkëmbin ekonominë dhe gjendjen sociale të qytetarëve të komunës sonë. Por munden ashtu siq edhe po ndodh, të nxisin eskadrilat ndëshkuese dhe gjobitjet e bizneseve që ia mësyejnë eventualisht këndelljes së veprimtarive të tyre.
Komuna nga e cila mbi 84% e të rinjve, gjatë qeverisjes suaj synojnë largimin nga komuna jonë, nuk mund të kujdeset dhe avancoj të ardhmen e tyre.
Përtej STANDARDEVE të instaluara, qeverisja e kryetarit Haziri në këtë periudhë na ka përballur me poaq ABSURDITETE, të rralla e të pakapshme për arsyen e shëndoshë, por jo edhe për ata që s’kanë dije, vision e ide.
ABSURD i mendjes dhe kohës që në periudhën më të vështirë psikologjike ndonjëherë, sociale e ekonomike, gadi gadi në shkallë të ekzistencës, imponuat dhe mbivotuat ridestinimin e mjeteve nga disa drejtori të paafta, anipse me interes jetik për qytetarët, në mënyrë që t’i konvertoni në ASFALT. Harruat betejen për bukë e shëndet.
Në këtë vrull të betonizimit, duke shfrytëzuar izolimin e egër të qytetarëve, çrrënjosët gjithçka që mbushnin mushkëritë e qytetit.
Përveç që shkulët shpirtin e brishtë të natyrës së paktë të qytetit, drunjë, bimë, gjelbërim, lule e shkurre, shkulët dhe shpirtin e njeriut si qenie njerëzore
Absurd i mendjes dhe kohës që në periudhën kur e tërë bota progresive dhe civilizuese, madje edhe në komunat e Kosovës, bëjnë përpjekje enorme për të shtuar shetitoret e hapësirat për këmbësorë, për të zgjeruar trotuaret dhe krijuar hapësira të veçanta për biciklistë, për të evituar ndotjen dhe zhurmën e automjeteve, ju bëni pikërisht të kundërtën, diku ngushtoni trotuaret, diku i asgjësoni tërësisht, përgjithësisht pamundësoni skajshmërisht qarkullimin e lire të qytetarëve dhe komunikimin mes tyre.
Këto “punët e hajrit” të kryetarit e nënkryetarit të komunës së Gjilanit kanë një formulë të veçantë:
Asfalt ± Asfalt ≈ Asfalt
ABSURD i mendjes dhe arsyes që një drejtori e nxitur mbase nga mentaliteti LDK-ist për uzurpimin e pronave publike, që tashmë 20 vite mbajnë të uzurpuara zyret e LDK-së, ka uzurpuar me dhunë mësonjtoret e bibliotekës, ka tkurrur hapësirat e studiusve të rinj dhe pasurimin me ekzemplarë shkencor e shkollor të rinj. Në anën tjetër, nuk u bën përshtypje që njëri nga sportet më popullore në Gjilan, hendbolli po shuhet. Shumë sporte dhe sportistë tjerë buzë shpërbërjes. Mos të flasim për infrastrukturën, stadiumet, palestrat, fushat, shtigjet sportive, rekuizitat.
Me gjasë edhe këtu kanë në mendje të asfaltojnë edhe librin edhe dijen.
Ka vetëm një dallim në mes nesh që e lexojmë këtë raport dhe juve që e keni paraqitur këtë raport.
Dallimi mes nesh është shumë i vogël – NE dëshirojmë që gjendjen e popullatës dhe të qytetit tonë ta ndryshojmë, ta bëjmë më të mire e më të lumtur, ta bëjmë për të gjithë.
JU dëshironi që kjo gjendje të zgjas përgjithmonë, me juve në krye, me mirëqenien tuaj dhe me mjerimin e të tjerëve.
Dallimi mes nesh e jush është që ne dëshirojmë t’i japim shpresën rinisë që po pret e që po vjen, ju dëshironi t’na e heqni shpresën edhe nga vet ne, sepse ju tjeter vision s’keni.
Edhe Raporti si i tillë duket me afat të skaduar. I pashpresë, formal dhe i kamufluar.