Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pasi në rrjetet sociale dhe në disa portale kanë qarkulluar disa fotografi, ku kinse babai i saj ishte pjesë e policisë serbe.
Postimi i plotë:
Një numër i madh shpifjesh, ashtu edhe siç pritej, po publikohen e shpërndahen këto ditë, por kur ato kalojnë çdo kufi dhe tentojnë të cenojnë integritetin familjar, atëherë duhet edhe të reagohet edhe të denoncohen shpifësit e të ndiqen rrugët ligjore.
Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjet një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e radhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit.
Për fatin e keq të vendit tonë, shpifjeve të tilla u shërbejnë edhe disa pseudo-portale të shndërruara në mjete propagandistike të tregtarëve të kufijve. E edhe më fatkeqe është kur shoh disa që e quajnë veten aktivistë të LDK-së tek shpërndajnë shpifje të tilla teksa harrojnë që po këta që po i montojnë këto gënjeshtra sot, dje nga hotele të Shqipërisë përgatisnin komunikata e shpallnin tradhtarë veprimtarët më të mirë të LDK-së.
Babai im është larguar nga puna më 15 mars të vitit 1989 duke u bërë kështu ndër shqiptarët e parë që largohen dhunshëm nga puna nga regjimi serb, pikërisht pse ka besuar dhe ka folur publikisht për Kosovën Republikë.
Ai në fillim të viteve të 90-ta i është bashkuar përpjekjeve të para të Presidentit Rugova për të ndërtuar shtyllat e mbrojtjes për rajonin e Mitrovicës (në sistemin paralel) dhe për këto përpjekje është burgosur dhe ka përjetuar tortura çnjerëzore në burgjet serbe. Për këtë, dëshmitarë janë qytetarët e Mitrovicës, organizatat e të drejtave të njeriut si dhe aktivistët e LDK-së të asaj kohe. Por, shpifësit e këtyre ditëve po dëshirojnë ta barazojnë sistemin jugosllav me atë të ndërtuar nga presidenti Rugova.
Të bësh një barazim të tillë duke u shërbyer me montime e fotografi të policëve serbë dhe të tentosh të denigrosh dikë që ka punuar për Kosovën shtet të pavarur e sovran që nga viti 1989, është e pafalshme dhe jo etike. Prandaj edhe familja ime do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj portaleve që po i shkruajnë këto shpifje e montime si dhe ndaj individëve shpifës që po i shpërndajnë ato.