DYLON

Nga nesër lejohet qarkullim i plotë por me kujdes si brenda ashtu edhe me Shqipërinë e vendet tjera të rajonit

Nga nesër lejohet qarkullim i plotë por me kujdes si brenda ashtu edhe me Shqipërinë e vendet tjera të rajonit
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për vendimet e sotme të qeverisë për lehtësimin e mëtejshëm të masave kundër Covid-19.

Përmes një postimi në facebook ai ka bërë me dije se:

1. Nga nesër lejohet qarkullim i plotë, por me kujdes, si brenda ashtu edhe me Shqipërinë e vendet e tjera të rajonit.

EkoHigjiena

2. Në kuadër të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, Ministria e Shëndetësisë do të miratoj “Manualin për Mbrojtje nga Covid-19”.

3. Do të rekrutojmë 200 specialistë shëndetësorë që do të mbikqyrin zbatimin e masave që dalin nga ky manual.

“Vazhdojmë me maturi e respektim të masave për mundjen e plotë të virusit #COVID19, deri në hapje të plotë”, ka shkruar në profilin e tij kryeministri Hoti.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e saj të katërt.

E drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të katërt, të  rregullt, në të cilën ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë, Nr. 02/38 të datës 31 maj 2020.

Fillimisht kryeministri Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shprehu falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Një shumë e konsiderueshme e mjeteve që shkon nga 150 deri më 200 milionë euro tani vazhdojnë të shpenzohen nëpër projekte specifike në dy shtyllat e këtij programi. Besoj se është në interes edhe për kabinetin edhe për qytetarët që të informohen për këtë dhe të shpreh falënderimet tona për këtë mbështetje që vjen në ditët e para të qeverisë së re”, tha kryeministri Hoti.

Shtylla e parë e këtij programi, vijoi kryeministri Hoti, është marrëveshja që quhet e pragut, në vlerë prej 49 milionë dollarësh, të cilat mjete investohen nga korriku i këtij viti, pra brenda 2 muajve, ku përfshihen investime në 3000 shtëpi, kryesisht shtëpi të shtresave me të ardhura më të ulëta, për përmirësimin e kushteve të banimit sa i përket mbrojtjes së energjisë, pastaj renovimin e objekteve banesore të mëdha në gjashtë komuna, në Prishtinë, ku janë përfshirë “ndërtesat e soliterave” në Ulpianë, në Mitrovicë, Gjakovë, Lipjan, Graçanicë dhe Viti.

Janë gjithashtu stipendione të plota për 28 gra kosovare që studiojnë në Amerikë, janë paga të plota për 200 gra që punojnë në sektorin e energjisë, janë rreth 2 milionë dollarë që jepen për grante për biznese të grave dhe një pjesë e mjeteve shfrytëzohet për të promovuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe të transparencës duke investuar në digjitalizimin e gjykatave.

Po ashtu, kryeministri Hoti njoftoi se pjesë e dytë e këtij programi është Marrëveshja Kompakt që quhet, që është duke u negociuar në këtë moment nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Amerikane, e që do të ketë vlerë disa fish më të madhe, sesa pjesa e parë.

“Besoj se shuma që do të ndahet për këtë pjesë do të përcaktohet në verën e këtij viti nga Bordi i MCC-së, i cili udhëhiqet nga Sekretari Pompeo. Projekti kryesor në këtë pjesë është gazpërçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit që e diversifikon peizazhin energjetik të Kosovës dhe gjithë ekonominë e Kosovës në fakt, që është projekt i rëndësisë gjeostrategjike në mbështetje nga pala amerikane”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar Qeverinë Amerikane për këtë hap të shpejtë.

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pikave të vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020, në të cilat është përcaktuar që:

 

– Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe kanë në posedim rezultatin negativ të testit për COVID-19, jo më të vjetër se 4 ditë, nuk ju nënshtrohen procedurave të vetizolimit;

– Ata që nuk kanë testin, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;

– Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare; dhe

– Deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do të reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Mbetet në fuqi pika e vendimit sipas të cilës është përcaktuar që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID19.

Deri më 12 qershor 2020, Ministria e Shëndetësisë miraton Manualin për Mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private, ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër.

Autorizohet Ministria e Shëndetësisë që në pajtim me Ligjin të nisë procedurat e rekrutimit të dyqind specialistëve shëndetësorë që do të mbikëqyrin zbatimin e Manualit nga ky vendim.

 

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.