Ndihma e OSBE-së është tejet e rëndësishme gjatë përsëritjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore, po aq sa ka qenë në zgjedhjet lokale 2013.
Kështu është shprehur Edita Tahiri, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri gjatë takimit me shefin e OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, të cilët biseduan mbi zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, me theks në proceset e demokratizimit.
Sipas një njoftimit të dërguar nga zyra e zëvendëskryeministres Tahiri, thuhet se në takim, është vlerësuar lartë procesi i suksesshëm i zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe përmbyllja e suksesshme e procesit të inaugurimit të organeve të reja komunale anë e mbanë Kosovës.
“Në veçanti u potencua fakti se katër komunat në veri i realizuan inaugurimet sipas ligjeve të Kosovës në një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe se procesi i funksionalizimit të punës së komunave është në rrjedhë e sipër”, thuhet në njoftim.
Tahiri e ka falënderuar OSBE-në dhe vet Ambasadorin Schlumberger, për ndihmesën e dhënë në zgjedhje dhe rëndësinë që një ndihmesë e tillë është e rëndësishme edhe gjatë përsëritjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore në frymën e Marrëveshjes së Brukselit.
Ndërsa, shefi i OSBE-së Schlumberger, u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të inaugurimeve të komunave të Kosovës dhe ofroi gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e shtetit të Kosovës, në të gjitha fushat ku vlerësohet e nevojshme në mënyrë të ndërsjellë.