Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, (OSBE), do të mbështesë me këshilla teknike procesin zgjedhor në veri të Kosovës gjatë organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahet më datën 8 qershor. Këtë e konfirmon për DW, zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikolla Gaon. Ai thotë se OSBE-së i është kërkuar ndihmë nga institucionet kosovare.
“Siç e dini, OSBE-ja e mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në rolin e këshillave teknike dhe po ashtu ne e kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm të mbështesim edhe procesin zgjedhor në veri të Kosovës, nëse kjo kërkohet nga ne. Tashmë kërkesa për ndihmë OSBE-së është bërë nga presidentja si dhe kryetarja e KQZ-së dhe në ditët në vijim detajet e mbështetjes së OSBE-së do të diskutohen me KQZ”, thotë Nikolla Gaon.
OSBE-ja ka qenë e përfshirë duke ndihmuar edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës vitin e shkuar, ku serbët e atjeshëm morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës.