Ismet Tafili nga Këshilli Organizativ ka thënë se takimi i sivjetmë është i dyti me radhë dhe do të mbahet në fshatin Priboc afër shtëpisë së Hafiz Musliut. Ai tha se ky është takim tradicional që bashkon në vendin e të parëve të tyre qytetarë të shumtë të shpërngulur nga fshati Priboc në periudha të ndryshme kohore e posaçërisht të larguar e të ndjekur në vitin 1999 nga policia dhe ushtria e Millosheviqit.
“Në këtë Manifestim, takohen farefisi, shokët dhe miqtë për të shuar mallin e vendlindjes, për të kujtuar vitet e largëta ku kanë jetuar ata, baballarët dhe stërgjyshërit e tyre, e posaçërisht për t’u njohur në mes veti gjeneratat e reja”, ka thënë Tafili.
Ai tha se Manifestimi “Takimet e Vendlindjes- Priboci 2010” për banorët e Pribocit ka një domethënie mjaftë të madhe dhe mbahet në frymën e njohjes së të rinjve në mes vete, thellimin e dashurisë ndaj njëri tjetrit, zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sportive, vizita shtëpive ku janë rritur e kanë thurur ëndrra, e që sot gati kanë mbetur rrënoja.
Të ftuar në takim janë edhe strukturat komunale dhe përfaqësuesit e partive politike të komunës së Bujanocit.
Krahas udhëtimit me automjete individuale për udhëtimin e qytetarëve pribocas janë siguruar autobus pa pagesë. Autobusët niset në ora 7.30 nga stacioni i autobusëve në Gjilan./2lonline/