In memoriam: Demir Behluli (10 shkurt 1938 – 4 maj 2018)
Demir Behluli: BEFASI E KËNDSHME (novela), Gjilan, 2005
Para librit që do t`i qasemi, Demir Behluli nxori vëllimin me proza të shkurta “Kur njeriu flet vetëmevete”, më 2005. Këto tregime miniaturale sollën ri-gjetje në bukurshkrimin e këtij autori.
Shkruan: Mehmetali Rexhepi
Që nga vëllimi me tregime “Trenat e bukës”, botuar më 1997, më parë si tregime më vete, i kishte publikuar në gazetat dhe revistat tona, gjatë viteve 1968,1969 e 1970, deri te vëllimi“Befasi e këndshme”, që doli më 2005, kaloi një periudhë e gjatë. E gjatë për një shkrim-qëmtues për t`i vrojtuar rrjedhat, periudhat, prirjet, llojet, format, teknikat e mënyrat e shkrimit në prozë.
Një rrethanë e tillë, do të thoshim fatlume për shkrimin, gjithsesi edhe për shkrim-bërësin, i ndodhi Demir Behlulit, për t`iu hapur udhë dy novelave: që janë “Befasi e këndshme”.
Fryti i një dashurie të fshehur
Tema e mjedisit të mentalitetit patriarkal, mendësia e besëtytnive, mënyra blegtorale dhe format zejtare të jetesës, ndrydhja dhe fshehja e dashurisë nga mentaliteti dogmatik, mbështjellin ndjenjat dhe karakteret e çiltra, pothuajse naive në çiltërsinë e tyre, të dy personazheve të rinj: Serbenazes e Alushit të novelës “Të shtunën te varret”.
Qasja për të depërtuar në pulsimet, drithërimat, ndjesitë dhe shpërthimet intime të këtyre karaktereve: njërit tipik fshatarak-blegtoral dhe tjetrës, bijë e vetme e zejtarit të kamur të qytezës, Metë Agës, për t`i shtjelluar botë-pleksjet e brendive të tyre, rrëfimtarit i është lypur sy-mendje-mprehtësia, ndjeshmëria, shija e përzgjedhjes së tipikes dhe ngritja e bindjes artistike.
Autorit, për t`i kapur këto mundësi, i duhej gjuha me fije të holla fjalësish. Pra, i duheshin fjalë të atilla që ngrehen e nuk këputen, të buta, mes pendesës e tej saj, të mbushura frymë, po jo aq sa të pëlcisnin si tullumbace, ose t`iu vinte era shkrumb nga zjarrmia e qumështit të shkrumbuar.
A e kishte një fond të tillë mjetesh artistike ky autor, për t`i përjetësuar artistikisht personazhet e piketuar?
Në vijim të rrëfimit do të shohim, se autori stilin e të shprehurit të vet artistik nuk e ngarkoi me aq barrë drithërimash, shqetësimesh, malli e pikëllimesh, sa mos të jetë në gjendje të bartej pesha e tyre emocionale. Krahas thurjes të subjektit rrëfimtar, gjuha duhej të fuste mëdyshje drithëruese, ethet e moshës që nuk bëhen frenuese të ngazëllimit, së fundi ngazëllimi e lumturia jetëshkurtër të puqeshin me skajin tjetër të jetës.
Idili i thurur në fshehtësi, larg syve të botës, shpie në zbardhje të tij… Shfaqet e fshehta me frytin për dore të trashëgimisë njerëzore të Serbenazes, Trashigimin, birin e luftëtarit të rënë të lirisë.
Novelat “Të shtunën te varret” dhe “Një befasi e këndshme”, nuk mëtojnë të ndërtojnë tipin e prozës: temë-ide-personazh-simbol dhe anasjelltas. Tek këto novela përzgjedhja e lëndës bëhet në përputhje me mundësitë depërtuese të autorit. Ndjeshmëria e spikatja e karaktereve shpërfaqet nëpërmjet një të shprehuri të lehtë, njëtrajtshëm, pa lakore e ndërlikime të kompozicionit, por jo pa dromca të gjuhës figurative e të stilit me ngjyrime lirike, për t`i motivuar shkak-pasojat e temës e rrjedhojën ideore të saj. Pas kapjes së ndjenjave në bulëza dhe rritës së tyre në lule të dashurisë, ura për afrimin e puqjen e dëshirave të dy botëve intime, të dy subjekteve, ndërtohet kryesisht përmes monologut, ndërsa shpalosja e intimes, po ashtu arrihet vetëm me anë të dialogut. Andaj, monologu dhe dialogu ndërthurin anën jetësore dhe kompozicionin e novelave “Të shtunën te varret” dhe “Një befasi e këndshme”.
Varret mjedis pa dëshmitarë
Dëshmia e hollë e spikatjes: “ruhej edhe para pasqyrës”, vijëzon një karakter të moshës së kthesave trupore e shpirtërore, ndrojtjen nga pulsimet gjithnjë më të theksuara…
Jetë-qëmtuesi identifikohet në shkrim-fisnikërues për t`i dhënë trajtë një dashurie të çiltër. Në këtë mjedis autentik, ngacmimet intime nuk shpërfaqeshin, ato nuk duhej ta kishin dëshmitarin e tretë. Vetëm një çelës ruhej dhe, ai mjaftonte t`ua hapte e mbyllte kështjellën e ëndrrave të tyre të dashurisë. Rënia e atij çelësi në duar të vetës së tretë, do të shkaktonte tërmet. Ai tërmet do ta rrënonte kështjellën e ëndrrave të tyre rinore. Atë çelës të monologut ua kishte shpikur, ëmbëlsuar e praruar rastësia, ajo krijuese e botës, ndonëse me druajtje… Çelësi do t`i huazohej dialogut të ngjirur me Alushin, sepse jone të padukshme të dashurisë ndërsjellash, po i ngjyrosnin shikimet e tyre të praruara, para se të lidheshin me fije të pashkëputshme dy zemra: malësori me fusharaken.
Shtegu i daljes nga përgjimi është e shtuna dhe varrezat, pikërisht aty ku përfundojnë dëshmitë e jetës.
Dromca figurative të rrëfimit
Doemos zjarrminë e etheve të këndshme të monologut do ta shuante dialogu, sepse “se si para pak ditësh kishte zënë të gufojë sikur qumështi nga kusia”. Këtu figura e krahasimit i jep ndjeshmëri e ritëm, për t`i sforcuar më tutje situatat motivuese të temës së trajtuar.
Në këtë kontekst, Demir Behluli është mes dy vokacioneve artistike: fjalës dhe brushës. Ai sikur do t`ua përtrolliste poetikën simbolistëve, që nga poezia kërkonin pleksje të fjalës me pikturën, diçka të tillë hasim në këto dy proza të Demirit. Pleksje kësisoj formësohen në ndonjërin nga togfjalëshat poetik të tipit ”shtigjet e dëshirave”, ose kur pikturon çaste, si: “e përthekon me shikimin e saj jo djallëzor”, “me një të skuqur fytyrës…”; ose “gjuajti me një shikim të blertë Alushin”. Kështu stili metaforik ushqen rrëfimin, sa herë vijës tij të ecjes e ngjitjes pjerrtësive, kaplohet nga mërzia, monotonia, lodhja e varfëria.
Në vijim të qasjes sonë, le të shkëpusim një fragment të diskursit që vlen të citohet: “Njeriu qenka një stacion, i cili gjithmonë pranuaka gjëra të reja, dhe shënuaka të vjetrat në një kthinë, që kurrë më s`po i nxirrka në tregun e tij”.
Kështu, Alushi i prozës “Të shtunën te varret”, shqipton diskursin e sprovës e të urtisë së tij, në mënyrën habitore, pothuaj se në përmbyllje të kapitullit të jetës. Ky diskurs sjell shkëputjen e tij nga mendësia e vjetër, nga idile të rreme, nga amullia shoqërore për të lypur rrugë të reja, hapësira të lira njerëzore.
Personazhet e mjedisit urban
Proza mes tregimit e novelës “ Një befasi e këndshme”, vë në sprovë përmasën e një dashurie të pathyeshme, të një mjedisi urban, antitetik kundruall rrëfimit “Të shtunën te varret”.
Mjedisi dhe koha e ndodhjes së personazheve janë konkrete, urbane. Personazhet janë tipizuar sipas parimit të përgjithësimit, njëra: Fytyra e Parruar ngërthehet në togfjalësh dhe tjetra në trajtën vetore të vetës së tretë: Ajo. Përshkrimi i rrëfimtarit përfillë veçorinë e simbolistëve, që poezia krahas penës të përdorë edhe brushën. Me anë të përshkrimit të dendur të dinamikës urbane, personazhi togfjalësh rikthehet në atmosferën dhe gjurmët e djalërisë. Në morinë e ecejakeve njerëzore, e shtrëngojnë mërzia, ndjenja e vetmisë dhe e largësisë nga dashuria. Kësaj situate sikur i paraprinë një ndjenjë kobzezë: “… një ditë, ajo më e zeza prej të gjithave, ajo ditë ikën bashkë me njeriun…” Ndjenja e mungesës së Asaj, që do t`ia fshinte atë zymtësi, sikurse me ndonjë gomë magjike, dhe do t`i bëhej urë kalimi honit të tij të zbrazësisë, që i dukej se po i thellohej, e, do ta përpinte, mori trajtë simbolike të shpirtëzimit, në monologun e tij me luanin në Kopshtin Zoologjik të Shkupit: “Mos u dëshpëro! Po mos t`ishe ti ai që je, s`do të kishin rrethuar me tela e me hekura, do të kishin lënë të lirë sikur lepurin ose gomarin, vetëm me një gardh të ligsht.”
Metafora e orës
Në rastin kur: “i rrihte zemra jo normal”, ngathtësia e orës tij me orën e madhe të stacionit të trenave në Shkup, ecja e ngathtë dhe bezdisëse e akrepave të dy orëve, pritja e ankthshme e trenit, e shpuri në gjëmën e lemerisë të tërmetit të Shkupit, të 26 korrikut të vitit 1963.
Ngecja e orës, ecja e shpejtuar, ndalja e orës së zemrës, tiktaku i pritjes, ritmi i shpejtuar i jetës, aritmia e zemrës, erdhi ora jonë, kambanat e lemerisë, vënë në veprim gamën e togfjalëshave metaforikë të orës, që mund të jetë prodhimtare e bartjes, ngritjes dhe uljes së dinamikës emocionale të personazheve në situata të tendosura shpirtërore.
Në novelën “Një befasi e këndshme” tërmeti hapi humbellën e ndarjes mes dy të dashuruarve, që pos dashurisë i afronte edhe libri. Ndarjen e tyre e kaplon mjegulla e monologut të Asaj. Pikë referimi i dyshimit për humbjen e njeriut të zemrës është tërmeti, por edhe një varg e vistër shkaqesh: ndoshta vonesa për ta parë filmin “Etje për jetë”, ndoshta mos udhëtimi me trenin e mbrëmjes?… Ndoshta?… Përderisa dyshimet dhe etja e Asaj për të dashurin nuk shuhen, monologu i mëdyshjeve të pashmangshme hap dilema dramatike… Megjithatë, një instinkt i fshehtë prore i referohet shpresës…
Pika tjetër e referimit për të mos pranuar aktin e kryer është letra. Letra e 25 korrikut, e dërguar një ditë para tërmetit, intrigon kureshtinë e Asaj. Si rrjedhojë intuita e shkrim-kërkuesit qëmtoi formulën e pajtueshmërisë e të vërtetës shpirtërore përkitazi përcaktimit të fatit njerëzor: “Se njeriu dëshiron të jetë e vërtetë ashtu sikur dëshiron ai vetë”.
Letra e mëdyshjeve dhe fijeve të forcuara për të qenët gjallë të të dashurit, baticat dhe zbaticat në shpirtin e Asaj, do të mund të përmblidheshin në mënyrën më lakonike në dyvargëshin e Mirko Gashit:
“Në kohën kur të vërshon gëzimi
në vorbullën e tij gjendet pikëllimi”
Rrëfimi arrin efekte emocionale dhe reflekse ideore, duke shtuar ritmin e fjalëve për ta nënvizuar theksin emocional përgjatë përshkallëzimit të mëdyshjeve, për aq sa arrihet e papritura e pritur e befasisë, e pleksur me ndjenja të përziera të habisë dhe gëzimit të frikshëm.
Një segment tjetër gjeturish, do të jenë shfaqjet e palës tjetër, personazhit të zhdukur për Atë, Njeriut me Fytyrë të Parruar, që kishte shpëtuar nga tërmeti dhe mëtonte t`i kthehej Asaj, por me anë të një pranie të tërthortë, madje vardisje, që Asaj i dukej intriguese e frikësuese.
Rikthimi te subjekti i dashurisë që dërgonte lule për Atë në varreza, lë të kuptohet si rrugë e vardisjes taktike; ndoshta për t`i ikur tronditjes, ose për ta vënë në sprovë shkallën e besnikërisë të Asaj?
Në këtë përshkallëzim emocional, personazhet e kësaj proze lëvizin mes botës reale dhe të imagjinuar. Shqetësimi dhe dyshimet, hija e fanitjes së të dashurit, fantazma e tij, përfytyrimi i “tebdilit” të tipologjisë së baladës “Konstantini e Doruntina”, e veshin subjektin e novelës “Një befasi e këndshme” me strukturë refleksive, jo pa fije e finesa të modelit të arealit gojor.
Situata që i bie ndesh enigmës së përfytyrimit, shpërfillet nga dy kontraste: Fytyra e Parruar dhe “Njeriu me rrobe të bardha e me syza dielli…”
Për të satën herë dialogu zgjatë dorën e frikshme të dëshmisë, duke ia hequr vellon e zezë enigmës në pohimin e një diskursi eseistik e sintetizues: “Dashuria rikthehet gjithmonë, nëse dashuron pa hile!”
Çiltërsia prej qelqi
Proza “Një befasi e këndshme” nuk ka nëntekst që do ta fshehte porosinë. Porosia është brenda vlerave të pakufishme të njerëzores. Atyre do t`iu printe besimi në “Homo sapiens”. Besimi në vlerat e çiltërsisë njerëzore sot është luhatur shumë, aq sa do të mund ta përkufizonim: si çiltërsi prej qelqi!
Në vëllimin “Befasi e këndshme” spikatet besimi si kategori njerëzore, estetike dhe etike e të madhërishmes; besimi i thellë në dashurinë e ndërsjellë, tërësisht të çiltër; besimi që tejkalon të rëndomtën dhe mësyn lartësinë e përgjithësimit: ngritjen e kultit bashkëkohor të besnikërisë.
Qëmtimi artistik
Duke qenë në funksion të qëmtimit artistik, për të arritur te një “Befasi e këndshme”, këtij autori i është dashur të merrej e rimerrej vazhdimisht me krasitje teksti, jo më pak se 43 vjet! Tërë kjo periudhë kohore e shkrimit, për gjithësinë do të shënonte vetëm një çast, ndërsa për jetën shkrimore të autorit njërën nga rrethanat për përmbushje ose jo, të kësaj befasie relative artistike?
Le t`i rikthejmë në kujtesë disa nga poetët e shkrim-qëmtuesit, të cilët për kaq vjet, edhe më pak, arritën t`i përmbyllnin kapitujt e jetës e të shkrimeve të tyre dhe, të mbeten yje të pashuar në qiellin e art-jetë-shkrimit, si: Xhorxh G. Bajroni (1788-1824),36 vjeç; Aleksandër S. Pushkini (1799-1837),38 vjeç; Franc Kafka(1883-1924) 41 vjeç; MIGJENI (1911-1937), 27 vjeç; Rexhep Elmazi (1938-1978) 40 vjeç, edhe të tjerë.
Urojmë që vlera të tilla ndikuese, si “Befasi e këndshme” të shtohen në jetën e lexuesve!
Gjilan, korrik 2005,
rishkruar në maj 2018