Policia e Kosovës, konkretisht Sektori i Hetimeve i Departamentit të Policisë Kufitare, në muajin Tetor 2021, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka filluar hetimet kundër disa personave të dyshuar shtetas kosovar, nën dyshimin e kryerjes se veprës penale Tregti e Ndaluar, e sanksionuar sipas nenit 299 të kodit penal të RKS-së.
Në vazhdën e hetimeve dhe punës operative në teren, sot me datën 22.11.2021, në Regjionin e Ferizajt, është realizuar plani operativ i koduar me emrin “Transporti”.
Në kuadër të këtij plani, Sektori i Hetimeve i Departamenti të Policisë Kufitare, në asistim edhe të Njësive tjera të Departamentit të Policisë Kufitare, gjatë realizimit të detyrave në implementimin e planit operativ kanë ndaluar për kontroll pesë (5) automjete si në vijim: 1). Seat Alhambra, 2). VW Sharan, 3) Seat Alhambra, 4). VW Sharan dhe 5). Seat Alhambra, të gjitha me drejtues (vozitës) meshkuj shtetas kosovar, nën dyshimin për tregti të ndaluar.
Në momentin e ndaljes dhe gjatë kontrollit në automjetet e lartcekura është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial pa dokumentacion përkatës, për çka është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme.
Sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, lidhur me këtë është iniciuar rast penal nën dyshimin e kryerjes se veprës penale “Tregti e Ndaluar”, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa personat e dyshuar pas intervistimit lirohen në procedure të rregullt. /2LONLINE.com/