Organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), u mbajt kursi i radhës për mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit dhe Prizrenit, ku vlen të theksohet se ky është kursi i parë i organizuar për TEE në Kosovë.
Ass. Dr. Edmond Halitin ligjëroi rreth aplikimit të ultratingullit në kardiologji, nga modalitetet e ndryshme të ekokardiografisë standarde (TTE) në ekokardiografinë transesofageale (TEE).
Indikacionet, kundërindikacionet, sfidat dhe rreziqet për TEE, si dhe për informimin dhe përgatitjen e pacientit për procedurën diagnostike të TEE-së, premedikimin dhe anestezionin.
Ndërsa, ditën tjetër, për pjesëmarrësit e kursit ligjëroi Prof. Ass. Aurora Bakalli, e cila filloi nga anatomia e zemrës te imazhet me TEE, teknikat e futjes, manipulimit dhe pozicionimit të sondës si dhe marrjen e imazheve (prerjeve) të ndryshme në TEE. Dr. Aurora kursin e përmbylli me prezentimin e rasteve klinike ku edhe u diskutua rreth atyre rasteve.
Sikur kurset tjera edhe ky kurs do të vazhdojë me vizita dhe pjesë praktike në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, njofton Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit. /2LONLINE/